E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Garantojmë mbështetje. Do ngremë komision teknik

23/04/2010 Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve kërkojnë kthimin e pronave për këtë kategori

Lidershipi socialist garanton mbështetje maksimale për ish-të përndjekurit politikë. Njëkohësisht, për një çështje të tillë, kampi rozë do të ngrejë një komision të posaçëm teknik, i cili do të merret me të gjitha kërkesat e ardhura nga përfaqësuesit e kësaj shtrese. Gjatë ditës së djeshme kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim me drejtuesit e bashkimit të sindikatave të pavarura të Shqipërisë, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë letrës që këto të fundit i kishin drejtuar pak kohë më parë këtij institucioni. Kështu, në prag të protestës së 30 prillit u vu re një përpjekje e lidershipit të kësaj partie për të ofruar pranë saj, natyrisht për të mundësuar dhe mbështetjen e kësaj shtrese, në një aksion të tillë opozitar. Ndërkohë, burime pranë këtij takimi bënë me dije se gjatë bisedës mes drejtuesve të sindikatave, kryetari Rama u ka premtuar këtyre të fundit që me ardhjen në pushtet të partisë së drejtuar prej tij do të mund të realizohen të gjitha kërkesat e ish-të përndjekurve. Madje, në këtë pikë kreu socialist nuk ka kursyer kundërvënien e tij ndaj kundërshtarit politik, i cili, sipas tij, nuk ka mbajtur asnjë premtim bërë kësaj shtrese. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar një qëndrim lidhur me letrën dërguar kreut Rama, në të cilën kërkojnë që 20 shkurti të emërohet “Dita e Shembjes së Diktaturës Komuniste dhe e Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist”, ndryshe nga ligji i propozuar nga shumica mbi këtë çështje. Ndërkohë që duke iu referuar premtimit të kryetarit të PS-së, përfaqësuesit që përpiqen të mbrojnë interesat e ish-të përndjekurve nuk kanë hezituar të shpalosin para tij kërkesat më themelore të kësaj kategorie. Kësisoj, ndër të parat, veç dëmshpërblimit, ka qenë kërkesa për kthimin e pronave të sekuestruara të ish-të përndjekurve në kohën kur ata kanë vuajtur dënimin. Po kështu, mësohet se ata kanë kërkuar dhe ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1976. Përballë pretendimeve të tilla, kreu socialist është shfaqur i tërhequr, por në linjën e përgjithshme Rama është përpjekur që të bindë bashkëbiseduesit se partia që ai drejton do të ketë si prioritare zgjidhjen e çështjes së të përndjekurve politikë në vend.

Letra

Në një kërkesë të përbashkët, gjashtë shoqata përfaqësuese të sindikatave të pavarura, në mbrojte të interesave të ish-të përndjekurve politikë, i kërkuan drejtuesve të lartë të shtetit, njëkohësisht dhe diplomacisë së huaj të akredituar në vendin tonë, që të dëgjojnë në takime të posaçme kërkesat e tyre. Sipas tyre, duhet që 20 shkurti të emërohet si “Dita e Shembjes së Diktaturës Komuniste dhe Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›