E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vora” arreston 5 me drogë, sekuestrohen 100 kg hashash

23/04/2010 RENEA ekzekuton arrestimet

TIRANE- Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë, duke ju sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike të llojit hashash, e cila do të shkëmbehej në zonën e Vorës. Shtetasit e arrestuar janë Gëzim Pirra, Leonard Zhanaj, Shkëlqim Kuqi, Kujtim Kuqi dhe Kujtim Hoti, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrit kanë rënë dakord që të transportojnë nga Kruja në drejtim të Vorës një sasi prej 100 kg hashash. Të sipërcituarit kishin rënë dakord që lënda narkotike të shkëmbehej në zonës e Vorës, por duke qenë se kanë pikasur praninë e policisë, shkëmbimi është lënë në fshatin Thumanë të Krujës. Pikërisht në këtë vend kanë shkuar me shpejtësi edhe forcat e policisë, të cilët të mbështetur edhe nga efektivët e repartit RENEA kanë kryer arrestimin në flagrancë të pesë personave të sipërcituar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike dhe dy automjete. Sipas burimeve nga seksioni i antidrogës, ndaj këtij grupi ishin siguruar dy muaj më parë disa informacione, ku shtetasit e arrestuar kërkonin shitjen dhe më pas shpërndarjen e lëndës narkotike në zonën e kryeqytetit. Pas përgjimeve të bisedave telefonike dhe ndjekjes në teren, agjentët e policisë së Tiranës kanë vendosur që të finalizojnë operacionin e koduar me emrin “Vora”. Duke qenë se shtetasit që ishin planifikuar të arrestoheshin, kishin një begraund kriminal të rrezikshëm, policia ka kërkuar ndihmën e forcave RENEA, të cilat të hipura në një autoblindë kanë kryer arrestimin e 5 personave që akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Aktualisht strukturat e hetimit të kësaj çështje vazhdojnë hetimin, pasi dyshohet se në këtë rrjet droge janë të implikuar edhe disa persona të tjerë, që kanë ndihmuar në grumbullimin dhe fshehjen e sasisë së drogës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›