Berisha në Krujë: PD-ja realizoi ëndrrën e Skënderbeut, futi Shqipërinë në NATO
Në vazhdim të turit "Shqipëria po ndryshon", kryeministri Berisha u ndal pasditen e djeshme në qytetin e Krujës, ku inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë - Abazaj, investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjithashtu, kryeministri Berisha inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para Bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë. Në tetë vitet e qeverisë socialiste në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliard e 550 milionë lekë.
Në përshëndetjen e tij drejtuar qytetarëve të Krujës, kryeministri Berisha u shpreh:
Gjatë fjalë së tij në Krujë Berisha u shpreh se PD-ja realizoi ëndrrën e Skënderbeut, futi Shqipërinë në NATO. “Sot, unë vij më krenar se kurrë, sepse që nga vitit 1468 deri më 4 prill 2009, Shqipëria dhe shqiptarët, në udhëtimin e tyre të mundshëm përgjithnjë do të prihen nga Princi i tyre i pavdekshëm, Skënderbeu. Ne bëmë realitet vizionin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, rikthyem Shqipërinë në gjirin e familjes së kombeve që u përkasim, bëmë që lufta e Skënderbeut të ndriçojë më shumë se kurrë në historinë tonë kombëtare; Shqipëria në NATO, Shqipëria në Perëndim, Shqipëria në mes të kombeve të qytetëruara të qytetërimit perëndimor. Kjo është ëndrra e çdo shqiptari. Kjo është finalja e një maratone të gjatë kombëtare, por edhe një maratone të suksesshme që nisi këtu në Krujë dhe u rikthye sërish këtu, për të ecur për jetë të lirë në rrugën që përcaktoi prijësi ynë legjendar”, - është shprehur Berisha.
16 Maj 2009