Topi takon zëvendëspresidentin e Bullgarisë, Angel Marin
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në mjediset e hotel “Adriatik” në Durrës një takim me zëvendëspresidentin e Republikës së Bullgarisë, Angel Marin dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare “E ardhmja dhe siguria e Ballkanit Perëndimor”. Gjatë bisedës, presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, duke shprehur besimin në vazhdimësinë e saj edhe në të ardhmen, me një bashkëpunim të gjerë në kuadrin e NATO-s dhe përfitimin nga përvoja e çmuar integruese bullgare. Gjithashtu, kryetari i shtetit shqiptar shprehu dëshirën dhe besimin në ndihmesën e Bullgarisë për Shqipërinë, për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Biseda mes presidentit Topi dhe zëvendëspresidentit të Bullgarisë, Angel Marin, u përqendrua edhe në disa projekte konkrete, kryesisht në fushën e ekonomisë, energjetikës, tregtisë, etj, dhe në rëndësinë e realizimit të projekteve domethënëse siç është ai i Korridorit të 8-të, çka do t’i jepte një përparësi të veçantë zhvillimit më të shpejtë të vendeve të rajonit në përgjithësi. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje se një rol parësor do të luante liberalizimi i regjimit të vizave nëpërmjet vullnetit të përbashkët politik. Marin shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe, duke siguruar në mbështetjen e fuqishme që Bullgaria do të japë për Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.
16 Maj 2009