E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kuvajt: Investime në turizëm e infrastrukturë

Investitorët, interes për investime në energjetikë dhe në përpunimin e naftës

Kuvajti shpreh interes për të investuar në turizmin, por dhe në infrastrukturën shqiptare. Garancia është marrë nga Kryeministri Sali Berisha në një vizite që ai po zhvillon në Kuvajt. Gjatë kësaj vizite zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar takime me homologun e tij kuvajtian, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, si dhe me Emirin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah. Në takimin mes tyre është diskutuar gjerësisht mundësia e rritjes së investimeve kuvajtiane në vendin tonë veçanërisht në fushën e turizmit, infrastrukturës, por dhe në energjetikë. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka theksuar dhe investimet e mëdha që Kuvajti ka bërë në vendin tonë, ndërsa cilësoi si më të rëndësishëm Boshtin e Jugut. Në takimin mes tyre është folur dhe për çështjet e rajonit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Takimi

Kryeministri Berisha është pritur në një ceremoni zyrtare nga homologu i tij i Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah. Dy kryeministrat u shprehën se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer. Gjithashtu ata vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, por u shprehën se ekzistojnë të gjitha potencialet për një zhvillim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke e çuar bashkëpunimin ekonomik në nivele edhe më të larta. Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Kuvajtit u shpreh se kontribut të madh në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve mund të japë bashkëpunimi në sektorin privat, por edhe bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të përbashkëta midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Kuvajtian për Zhvillim. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fushat me potencial për shfrytëzim nga investitorët kuvajtianë, si shfrytëzimi i burimeve ujore të Shqipërisë, ndërtimi i resorteve turistike dhe fusha e turizmit në përgjithësi, për të cilin Shqipëria ka një potencial të madh, si në turizmin malor edhe në atë bregdetar.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, ku Kryeministri Berisha u ndal në projektet e financuara nga qeveria kuvajtiane, më konkretisht në projektin për ndërtimin e Boshtit të Jugut. Kryeministri Berisha u shpreh se për arsye se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, do të ishte një ndihmë shumë e madhe financimi i mëtejshëm për zbatimin e projektit të Boshtit të Jugut. Berisha u shpreh se Shqipëria është e hapur që të lehtësojë investimet kuvajtiane në Shqipëri në fushën e rafinerive dhe përpunimit të naftës, si dhe në ndërtimin e hidrocentraleve. Gjatë këtij takimi, pala kuvajtiane shprehu interes edhe për projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë. Kryeministri i Kuvajtit u shpreh se është e rëndësishme që takime të këtij niveli të lartë të ndiqen edhe nga takime të ekspertëve të fushave përkatëse, të cilët të bisedojnë edhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë takim u fol edhe për çeljen, së shpejti, të ambasadës së Shqipërisë në Kuvajt dhe ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, si një kontribut ky i mëtejshëm në bashkëpunimin mes dy vendeve. Dy Kryeministrat diskutuan gjatë këtij takimi edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kuvajti.

Emiri i Kuvajtit: Stabiliteti ekonomik i Shqipërisë rrit mundësinë për investime

Shqipëria dallohet për stabilitetin e saj ekonomik edhe në një kohë krize, çka e bën atë shumë të favorshme për investimet e huaja. Kjo është theksuar nga Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, gjatë një takimi që ai zhvilloi me Kryeministrin Sali Berisha në Seif Palace. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë takim për të falënderuar qeverinë kuvajtiane për mbështetjen dhe ndihmën financiare që iu ka dhënë shqiptarëve, në Shqipëri dhe në Kosovë, me anë të shumë projekteve të ndryshme.  

Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyera, por do të punohet edhe më tej për zhvillimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Berisha ka shtuar gjatë takimit se investitori më i rëndësishëm në Shqipëri, Al-Kharafi, është nga Kuvajti dhe se shpresonte që shumë investitorë të tjerë të ndjekin shembullin e investimeve të suksesshme që ka pasur ky investitor në Shqipëri. Nga ana e tij, Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, u shpreh se Shqipëria është një vend mik dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri janë implementuar me shumë sukses. Për këtë arsye ato janë investime që Shqipëria i ka merituar plotësisht, - tha ai. Emiri i Kuvajtit u shpreh se stabiliteti ekonomik i Shqipërisë dhe qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare, veçanërisht edhe në këtë periudhë të krizës botërore, bën që Shqipëria të jetë një vend mjaft i favorshëm për investitorët kuvajtianë.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të lehtësojë investimet kuvajtiane në fushën e rafinerive të naftës dhe në fushën e turizmit, për ndërtimin e resorteve turistike dhe zonave të mëdha rezidenciale si në zonën bregdetare ashtu edhe në atë malore. Kryeministri Berisha u shpreh se edhe impiantet e përpunimit të ujërave të pijshëm mineral janë një fushë me interes, ku investitorët kuvajtianë mund të kenë investime suksesi në Shqipëri. Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, u shpreh se ai do të jetë një mbështetës i fuqishëm i projekteve dhe investimeve kuvajtiane në Shqipëri, se personalisht do ti shqyrtonte këto projekte me Kryeministrin e Kuvajtit dhe se Shqipëria si një vend me ekonomi të qëndrueshme është një partner me interes për Kuvajtin për investime në fusha të ndryshme. Ai u shpreh se vetë personalisht do të inkurajojë sektorin privat dhe Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë së Kuvajtit që të vizitojnë Shqipërinë, të shohin nga afër potencialet e saj dhe këto të ndiqen nga projekte konkrete dhe marrëveshje ndërmjet dy vendeve në këtë drejtim.

Së shpejti në Kuvajt, Java e Shqipërisë

Kuvajti do të organizojë së shpejti Javën e Shqipërisë, nismë kjo e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit. Kjo nismë ka për qëllim të njohë më nga afër investitorët kuvajtian me Shqipërinë dhe potencialet e saj. Pohimi u bë dje nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi gjatë një takimi që ai zhvilloi me Kryeministrin Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në këtë vend. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ndihej shumë krenar që priste Kryeministrin e Shqipërisë. Ai u shpreh se marrëdhëniet mes Parlamenteve të të dyja vendeve janë të shkëlqyera dhe për këtë ka dhënë një kontribut të madh grupi parlamentari i Miqësisë ShqipëriKuvajt. Më tej, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi, vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria në fushën ekonomike dhe stabilitetin ekonomik të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›