E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Integrimi dhe lëvizja e lirë, përparësitë tona

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, u uruan Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë duke vizituar në fillim Selinë e Kryepeshkopatës së Hirshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë. Në këtë mesazh urimi, ai bëri thirrje për dialog, ndërsa theksoi integrimin dhe lëvizjen e lirë si përparësi për shqiptarët. Dëshiroj së pari të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë për këtë ditë të madhe, për këtë ditë të ringjalljes në të gjitha kuptimet e fjalës, të rikthimit te besimi, të rikthimit tek optimizmi, të rikthimit te dialogu, të rikthimit te jeta!, - tha Topi . Sipas tij, jo rastësisht festat fetare përqendrohen brenda një periudhe të shkurtër në pranverë, çka do të thotë që pranvera sjell me vete edhe besimin te komunikimi, tek ajo që konsiderohet njerëzore, te besimi për tiu kthyer veprave të mira, vepra për të cilat ne kemi nevojë të gjithë si shoqëri. Më tej kreu i Shteti vizitoi dhe Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë me rastin e Festës së Pashkëve katolike, ku uruan Ipeshkvin të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditës dhe njëkohësisht kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore. Gjatë kësaj vizite Topi vuri theksin tek rruga integruese e Shqipërisë. Sipas tij, jeta është e mbushur me shumë episode, me shumë ngjarje, ditët janë mjaft intensive, secili në veprimtarinë e tij, por secili vendos disa përparësi dhe për shqiptarët në plan të parë është integrimi. Ajo përparësi që shfaqet para shqiptarëve sot duket si një refren i përsëritur, por ai që përsëritet tregon që përbën një dominant për shoqërinë tonë është pikërisht vazhdimi i rrugës së integrimit të Shqipërisë. Atë që përfunduam me NATO-n patjetër që do të vazhdojmë në Bashkimin Evropian, - tha ai. Topi theksoi se kjo është në interesin e çdo shqiptari, të çdo qytetari, pavarësisht nga niveli i tij, qoftë ky i ri, i moshuar, intelektual apo punëtor. Besoj se të gjithë në interesin e tyre kanë dëshirë që të realizojnë atë që kanë pritur prej dekadash: të lëvizin të lirë dhe besoj që lajmi i mirë do të jetë për shqiptarët shumë shpejt, - ka përfunduar fjalën e tij për median kreu i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›