E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Berisha, kryetar parlamenti për një ditë

Rregullorja e funksionimit të brendshëm të Kuvendit, përcakton se drejtuesi i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë. Për këtë legjislaturë, Berisha është ligjvënësi me moshën më të madhe. 

TIRANE-Në 4 shtator Sali Berisha do të jetë njeriu më “i pushtetshëm” në Shqipëri. Për një ditë të vetme, në dorën e kryeministrit aktual do të jenë të përqendruara dy pushtetet më të larta të drejtimit të shtetit, ai ekzekutiv dhe ai legjislativ. Rregullorja e funksionimit të brendshëm të Kuvendit, në pikën 1 të nenit 1 të saj, e përcakton qartë se drejtuesi i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë. Për këtë legjislaturë, Berisha është ligjvënësi me moshën më të madhe në krahasim me 139 deputetët e tjerë. Ai ka lindur në 15 tetor 1944. Kësisoj, në zbatim të rregullores së Kuvendit, shefit të qeverisë do t’i duhet të drejtojë punimet plenare deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit.
Rregullorja
Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të mblidhet për herë të parë në datën 4 shtator 2009. Në pikën e parë të nenit 1 të rregullores së brendshme të Kuvendit thuhet shprehimisht se: “Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë”. Në të njëjtit paragraf thuhet gjithashtu se: “Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë”. Në rastin hipotetik të mospranimit të drejtimit të kësaj seance nga Berisha, atëherë deputeti që do drejtojë seancën e parë do të jetë socialisti Et’hem Ruka, i datëlindjes 8 dhjetor 1947.
Funksionet
Në cilësinë e drejtuesit të seancës së parë plenare dhe në zbatim të rregullores së Kuvendit, Berisha do të caktojë tre deputetë, ndër ligjvënësit me moshën më të re, të cilët do të duhet të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. “Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve”, - thuhet në rregulloren e Kuvendit. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, kryeministri si drejtuesi i seancës do t’i njoftojë Kuvendit edhe emrat e personave të zgjedhur si edhe do të kërkojë verifikimin e mandateve të tyre.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›