Berisha në Londër për ceremoninë, përshendet ekipin olimpik
Londër- Kryeministri Sali Berisha, përshendeti sot ekipin olimpik shqiptar, në një takim që pati me këtë të fundit duke u uruar atyre suksese, dhe duke shprehur bindjen se ato të do nderojnë veten dhe kombin shqiptar.
Kreu i qeverisë ndodhet në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012. Ai pati sot një takim me ekipin olimpik shqiptar, stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër.
Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se në pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumci dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë.
Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë.
“Suksesi i juaj i parë”, u shpreh Kryeministri, është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj.
Mësohet se përpara pritjes, Kryeministri Berisha do të ketë në Buckingham Palace, një takim të veçantë me Kryeministrin britanik David Cameron. Në orën 21 (ora lokale), Kryeministri Berisha do të jetë i pranishëm në Stadiumin Olimpik të Londrës, ku do të ndjekë ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike 2012.