Berisha në Mamurras dhe Mat: “Mos votoni familjarisht”
Kryeministri Berisha, gjatë takimeve të djeshme në Mamurras dhe në Mat, u ka drejtuar mbështetësve thirrjen e bërë nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, që të mos votohet familjarisht në këto zgjedhje. Berisha u ka kërkuar banorëve të marrin pjesë në zgjedhje masivisht, por të votojnë individualisht.
“Thirrja ime për ju është që në 28 qershor të dalim të gjithë në votime, të votojmë në mënyrën më të qytetëruar. Më 28 qershor do të jenë 500 vëzhgues nga mbarë bota. Ju bëj thirrje të votojmë me maturi të plotë, ju bëj thirrje ju demokratëve të Mamurrasit, por edhe të mbarë Shqipërisë, të mos lejoni asnjë votim familjar sepse kjo dëmton votimet, të votojmë si qytetarë evropianë. Europa duhet të bindet se ne votojmë të lirë, votojmë sipas rregullave, votojmë sipas standardeve. Në qendrat e votimit ju të shkoni si familje, por secili të votojë veçmas, në mënyrë që të realizojmë zgjedhjet më të bukura në historinë e këtij vendi”, - është shprehur Berisha. Gjatë takimit në Mamurras Berisha premtoi gjatë mandatit të dytë qeverisës do të financojë çdo projekt të kësaj bashkie. “Qytetarë të Mamurrasit, erdha këtu për t’u zotuar para jush, se në Mamurrasin europian, në Shqipërinë europiane, çdo qytetar do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Projekti ynë synon dhe garanton që 4 vitet e ardhshme ju të keni rroga dhe pensione më të mëdha se qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Fermerëve të Mamurrasit u premtoj se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre, do të krijojmë hapësira të mëdha për tregun, do të nxisim agrobiznesin”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa gjatë fjalës së mbajtur në takimin elektoral në qytetin e Matit Berisha premtoi se do të asfaltojë rrugën e komunave të këtij rrethi. “Unë u premtoj pensionistëve të Matit se në 4 vitet e ardhshme pensionet e tyre do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së. Rrogat do të jenë më të larta se të 6 vendeve anëtare të BE-së. Rrethi juaj ka një perspektivë në axhendën energjetike, ndërkohë korridori Rrëshen-Klos është një tjetër vepër madhore. Në 4 vitet që vijnë Mati i urbanizuar, Mati europian, matjanët me furnizim 24 orë ujë të pijshëm kudo ku ata janë. Këto janë premtimet tona”, - është shprehur Berisha. Gjatë ditës së djeshme kryeministri ka zhvilluar takime në Ishëm, në Sukth, në Vorë dhe në Kashar.
18 Qershor 2009