Jak Ndokaj në Laprakë: “Qeveria, raciste dhe diskriminuese ndaj komunitetit rom”
Deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, i ka vlerësuar si raciste dhe diskriminuese politikat e ndjekura nga qeveria dhe pushteti lokal për komunitetin e romëve. Sipas tij, më mirë se kudo këto politika shihen qartazi në Laprakë, ku familjet rome janë larg të jetuarit në kushte normale. Ndokaj ka akuzuar edhe deputeten e PD-së së kësaj zone, e cila, sipas tij, jo vetëm nuk ka lëvizur as gishtin për përmirësimin e jetës në këtë zonë, por më shumë ka shtuar radhët e ujit të pijshëm me bidonë. “PDK-ja angazhohet për punësimin minimalisht të një personi për çdo familje rome, dhënien fund të skllavërisë së fëmijëve romë nëpër semaforë duke lypur. Këtë do ta bëjmë jo me policë, por nëpërmjet një skeme ndihme sociale që merr në vlerësim standardet minimale për një jetesë normale”, - tha Ndokaj. Ndokaj ka nënvizuar më tej se politikat favorizuese të shkollimit për komunitetin rom do të jenë përparësi e PDK-së në Parlament. Ndokaj është angazhuar personalisht për favorizimin nëpërmjet një fondi të veçantë studimi që do të krijohet për nxënësit e mirë të komunitetit rom.
18 Qershor 2009