E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Ramës: Harroje 2007-ën, dil në shesh të votohesh

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka mbajtur të njëjtat premtime edhe në Librazhd. Atakon ashpër liderin e opozitës


LIBRAZHD- Ashtu si në çdo tubim elektoral, edhe dje, gjatë prezantimit të kandidatëve në qytetin e Librazhdit, Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur të njëjtat premtime si në çdo qytet tjetër. Ai ka premtuar drita dhe ujë 24 orë, si katër vite më parë, asfaltim rrugësh, ashtu si katër vite më parë, si dhe barazim të pensioneve të fshatit me të qytetit, por pas pesë vitesh.


Por, krahas saj, kreu i ekzekutivit, si në asnjë qytet tjetër, është ndalur gjatë tek kreu i opozitës, Edi Rama. "Zoti Rama, ne shqiptarët po bëjmë 19 vjet në pluralizëm. Ne nuk e dinim se çfarë ishte liria, por ne e filluam dhe tani po e ndërtojmë atë.


Në 19 vite pluralizëm, nga fëmija tek më i moshuari, e kanë mësuar se rregullat e garës tregojnë që kryetari i partisë të udhëheqë listën e deputetëve, të jetë në krye të partisë për votim, sepse ky është një standard evropian.


Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë rasti që kryetari i partisë të mos vendosë emrin e tij në listë", - tha Berisha, duke e ftuar sërish të jetë pjesë e listës. Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe reagimit të liderit të opozitës, lidhur me mospërfshirjen e tij në listën e deputetëve.


Gjatë deklaratës së tij, kreu i ekzekutivit shtoi se kryetari i opozitës e fitoi Bashkinë e Tiranës me certifikata të falsifikuara, edhe pse, në fakt, diferenca e fitores mes Ramës dhe Olldashit, në vitin 2007, ishte tepër e thellë. "Zoti Edi Rama u thotë shqiptarëve se nuk do të votohem, sepse jam votuar në 2007-ën.


Po, zoti Rama, por nga viti 2007 e këtej ke mbledhur aq zhul, sa as ujët e Shkumbinit nuk ta lan dot. Po, zoti Rama, sepse nga 2007 je ti dhe vetëm ti që rezulton t'u kesh dhënë Eftimëve të tu 70 për qind të lejeve të bashkisë.


Këtë, zoti Rama, nuk e bën as djali i Kim Young II, kryetari i Bashkisë së Phenianit. Vërtet ke marrë votat me certifikatat e falsifikuara në vitin 2007, por nga 2007-a dhe këtej shqiptarët nuk ta falin ty, tiranasit nuk ta falin ty, sepse ti, ditën kur Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, i mashtrove ata dhe u the se Shqipëria nuk do të ftohet.


Shqiptarët nuk ta falin ty qytezën "Rama-Delijorgji", 52 pallate në qendër të Tiranës. Si mendon ti, se shqiptarët t'i pranojnë këto standarde? Jo, zoti Rama, kurrën e kurrës", - tha Berisha.


Ai shtoi: "Harroje 2007-ën. Fitove me certifikata, por në qoftë se je burrë, dil në shesh. Urdhëro të të votojnë dhe ta provosh veten përballë shqiptarëve. Megjithatë, vëllezër dhe motra, ne do t'i japim edhe 48 orë afat dhe, në qoftë se ai kthen mendjen, do ta vendosim në listë".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›