E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Partitë të publikojnë shpenzimet për zgjedhjet

TIA shfaq kritika për mostransparencën financiare, mënyrën se si u hartuan listat dhe vë në dyshim ekzistencën e programeve zgjedhore


TIRANË- Në prag të zgjedhjeve parlamentare, partitë politike lënë për të dëshiruar sa i përket transparencës financiare, mënyrës se si i hartuan listat e kandidatëve dhe përgatitjes së programeve elektorale.

Edhe pse dy partitë e mëdha i kanë prezantuar programet e tyre në pika të përgjithshme, Transparency International në Shqipëri (TIA) vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore, ku jo rrallë, sipas kësaj organizate, është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre.


Përmes një deklarate për shtyp, TIA vlerëson se është shumë e rëndësishme që publiku të njihet me programin e partisë, për të cilën do të votojë, ndaj dhe partitë politike duhet të publikojnë programin elektoral, me të cilin ato synojnë të qeverisin vendin. Një tjetër pikë e rëndësishme e vërejtur në vëzhgimin e TIA-s, është edhe hartimi i listave të kandidatëve.


Transparency International i Shqipërisë (TIA) ka konstatuar se hartimi i listave të kandidatëve pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive dhe/apo me elektoratin, si dhe dorëzimi i tyre në prag, apo përtej afateve ligjore, ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor, si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend. Për këtë arsye, TIA u kërkon partive politike që, në kuadër të transparencës përballë publikut, të publikojnë CV-të e kandidatëve, me të cilët garojnë në këto zgjedhje.


TIA vlerëson se transparenca me të kaluarën e kandidatëve, përveçse u jep mundësi qytetarëve të zgjedhin në Kuvendin e ardhshëm përfaqësues me kontribute sociale dhe akademike, krijon edhe mundësinë e verifikimit nëse ka në lista kandidatë që garojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.


Duke rikujtuar nenin 69 të Kushtetutës, i cili sqaron papajtueshmërinë e kandidatit për deputet dhe shprehet për pavlefshmërinë e mandatit të fituar në kundërshtim me këtë nen, TIA u bën thirrje partive politike që t'u kërkojnë kandidatëve të tyre të japin dorëheqjen nga postet e papajtueshme me mandatin e deputetit, duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar në fushatën zgjedhore.


Transparenca financiare


TIA vëren, gjithashtu, se është shqetësues niveli i ulët i transparencës financiare të kësaj fushate zgjedhore.


Në funksion të rritjes së nivelit të transparencës, TIA u kërkon partive politike, publikimin e faturës financiare të çdo aktiviteti elektoral (mitingje dhe aktivitete të tjera masive), menjëherë pas përfundimit të tij.


Në respektim të Kodit Zgjedhor, Transparency International Shqiptar kërkon që partitë politike të publikojnë regjistrin e posaçëm, ku do të regjistrohen personat që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare, ku do të depozitohen këto financime.


TIA ka kërkuar gjithashtu që qeveria të publikojë listën e bizneseve që kanë përfituar nga privatizimet dhe tenderët. Më konkretisht, TIA i kërkon qeverisë që të publikojë listën e personave juridikë që kanë përfituar fonde publike, ose kanë qenë partnerë me fonde publike gjatë 4 viteve të shkuara, në mënyrë që të verifikohet nëse këto subjekte po kontribuojnë në fushatën zgjedhore në shkelje të ligjit.


TIA vlerëson se rritja e transparencës gjatë fushatës zgjedhore rrit mundësinë për të pasur një Parlament më cilësor, të përbërë nga deputetë që për mandatin e tyre u detyrohen vetëm qytetarëve që i kanë zgjedhur.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›