Veliaj në Lazarat: Shqipëria jo e ndarë në bastione
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, ishte në fshatin Lazarat, një bastion i njohur i të djathtës. Në Lazarat, Veliaj dhe aktivistë të G99 zhvilluan një takim me banorët e tij, ku u prezantua kandidati për deputet për Qarkun e Gjirokastrës, Orgen Hasanbega. Veliaj theksoi se është qesharake ta ndash sot Shqipërinë në bastione dhe është qesharake t’u thuash njerëzve që në Lazarat s’mund të shkosh se është bastion i Sali Berishës. “I gjithë koncepti që paska ca vende në Shqipëri ku mund të shkosh, e ca vende të tjera ku nuk mund të shkosh, sepse janë bastione të të tjerëve, është një koncept demode dhe po na bën qesharakë”, tha drejtuesi i G99 në Lazarat. Duke prezantuar kandidatin për deputet të G99 në Qarkun e Gjirokastrës, Orgen Hasanbega, Veliaj kërkoi që bashkë me qytetarët tashmë të lodhur nga kjo politikë e bastioneve, të bëhet një pakt: “Nëse ne bëjmë bashkërisht një pakt me njëri-tjetrin, ose do ngrihemi bashkë, ose do lejojmë akoma të na rrëzojnë”, tha ai. Hasanbega, i cili nisi të bashkëpunojë me G99, kur kjo e fundit e mbështeti publikisht gjatë procesit gjyqësor që ai kaloi pasi protestoi kundër deklaratave antishqiptare të Vasil Bollanos e Spiro Kserës, theksoi se tashmë në Lazarat do të ketë një degë të G99.