Meta: Kemi program për biznesin dhe ulur papunësinë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, takoi dje në ambientet e ish-Metalurgjikut në Elbasan një grup punëtorësh. Duke shprehur keqardhje për gjendjen e tanishme të ambienteve të ish-Metalurgjikut, kur dikur punonin mbi 12 mijë punëtorë, ndërsa sot vetëm disa qindra, Meta shprehu vullnetin e LSI-së për ta ringritur këtë zonë industriale në një zonë punësimi të rëndësishme, duke stimuluar biznesin përmes politikave fiskale. Në këtë takim Meta shoqërohej nga kandidatët për deputet Bujar Kllogjeri dhe Pjerin Xhuvani, si dhe nga drejtues të tjerë lokalë të këtij qyteti. “Ne sot shohim që këtu janë të gjitha mundësitë që për një kohë shumë të shkurtër këto ambiente, përsëri të kthehen në qendra pune, në qendra punësimi. Nuk e kam fjalën për të rindërtuar një kombinat nga e para, sepse nuk ka asnjë sens, por këto janë mundësi të jashtëzakonshme për të tërhequr një investitor të huaj dhe për të nxitur dhe sipërmarrës vendas, në mënyrë që këtë zonë që dikur ishte si qytet më vete, përsëri ne të kemi ambiente të reja ku njerëzit të punojnë” u shpreh Meta. Sipas Metës, për këtë qëllim LSI-ja ka bërë të qartë një program për të stimuluar biznesin, duke zbritur nga tatimet një shumë të caktuar për çdo vend të ri pune, që hapet nga bizneset ekzistuese dhe për të përjashtuar nga tatim përfitimi për tre vitet e ardhshme çdo biznes të ri do të krijohet dhe në varësi me numrin e punëtorëve që do të ketë ne do të krijojmë lehtësira në mënyrë progresive. Meta foli gjithashtu edhe për mbështetje të biznesit të fasonëve, pasi, sipas tij, në këtë biznes janë të punësuar rreth 100 mijë shqiptarë dhe ato eksportojmë gati mbi 500 milionë euro në vit. “Për to kemi parashikuar të heqim tatim-fitimin për këto biznese deri në dhjetor të vitit 2010 dhe njëkohësisht të subvencionojmë 50% të sigurimeve shoqërore për çdo të punësuar deri në vitin 2011”, tha Meta.