Kartat, nis penalizimi për ata që nuk aplikojnë
ADI SHKEMBI
Duke filluar nga dita e sotme, qytetarët që nuk kanë aplikuar për pajisjen me kartën e identitetit do të përballen me penalizimet e vendosura nga qeveria. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha dje në një konferencë për shtyp se në zbatim të vendimit të qeverisë të miratuar pak ditë më parë do të nisin penalizimet për të gjithë qytetarët që nuk kanë marrë parasysh afatet e vendosura. “Vazhdon të kemi prioritet për personat pa pasaportë. Sanksionet do të hyjnë në fuqi. Ne do ti kontrollojmë personat nëse i kanë marrë dokumentet”, u shpreh dje Poni për mediat.
Penalizimet
Në vendimin e qeverisë parashikohen një sërë penalizimesh për personat që nuk kanë aplikuar ende për pajisjen me dokumentin e ri të identifikimit. Kështu nga dita e sotme, nëse nuk kanë aplikuar, nuk do të mund të marrin rrogat të gjithë punonjësit që punojnë në administratë apo në agjenci dhe ente tjera shtetërore, qendrore dhe vendore. Gjithashtu nga ky vendim preken edhe të gjithë pensionistët në fshat dhe në qytet, të cilët nuk do të mund të marrin dot pensionet. Studentët nuk mund të regjistrohen për provimet e fundvitit, si dhe për vitin e ri akademik, ndërkohë që edhe qytetarët që duan të pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit nuk do të mund të marrin dokumentin nëse nuk kanë blerë kuponin e aplikimit. Por teksa nga dita e sotme hyjnë në fuqi penalizimet e parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, në një prej mbledhjeve të afërta të qeverisë pritet që të zyrtarizohet edhe marrëveshja e fundit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për të ulur çmimin e kartave në 200 lekë për të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë si dhe hartimin e skemës për shlyerjen e pagesës së mbetur prej 1 mijë lekësh nga kjo kategori pas 28 qershorit.
Aplikimet
Zv.ministri Poni tha gjatë konferencës për shtyp se deri mesditën e djeshme numri i qytetarëve që i janë drejtuar qendrave të aplikimit për pajisjen me kartën e identitetit i ka kaluar 700 mijë personat. Konkretisht, sipas tij, ky numër është 707.491, mbi 280 mijë prej të cilëve janë pa pasaportë. Sipas numrit dy të Ministrisë së Brendshme, numri i letërnjoftimeve të prodhuara deri tani arrin në 540.290. Në zyrat e aplikimit janë shpërndarë 515.525, prej të cilave janë tërhequr nga qytetarët 278.103 copë. Gjithashtu ai deklaroi se procesi i aplikimit për letërnjoftimin elektronik, sot funksionon normalisht në 322 zyra aplikimi në të gjithë vendin, ndërsa numri i stacioneve të aplikimit është 468. “Nëse procesi do të vijojë në këto parametra, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet, pajisja e shtetasve, ku përparësi kanë ata pa pasaportë, do të bëhet e mundur brenda muajit maj”, tha Poni. Nisur edhe nga vendimi i fundit i qeverisë që, që lehtëson në këtë proces kategoritë me pensione minimale, ata të fshatit, studentët, personat me aftësi të kufizuar, etj, Poni bëri të ditur se “të gjitha institucionet shtetërore, zyrat e ndihmës sociale, komunave, fakultetet, etj, janë pajisur me kuponat për aplikim dhe kanë filluar shpërndarjen e tyre”.
Shërbimet që nuk ofrohen pa kartë identiteti
• pagesa ose shpërblime për të gjithë personat fizike të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe personat e punësuar në shoqëri, agjenci apo ente shtetërore, qendrore apo vendore;
• pagesa apo shpërblime për pensionistët;
• pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore;
• pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
• pajisja me pasaportë për jashtë shtetit;
• shërbimin në zyrat e gjendjes civile;
• lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor;
• nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
• aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme