E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF fiton ankandin “Ivankoviç”

 

Branko Ivankoviç është bindur për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Nga burime konfidenciale pranë institucionit tonë të futbollit, bëhet e ditur se FSHF i ka ofruar teknikut kroat më shumë para se sa pala maqedonase, që është gjithashtu në kërkim të një trajneri, madje interesohet fuqishëm për 55-vjeçarin. Drejtuesit e Federatës tonë kanë hezituar të zyrtarizojnë Ivankoviçin si trajnerin e ri të Kombëtares, për shkak se ka qenë vetë tekniku, ai që u ka kërkuar tre ditë kohë, deri sa të nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja. Disa agjenci të huaja lajmesh e kanë trajtuar si të mbaruar nënshkrimin e një kontrate zyrtare mes Ivankoviçit dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë, i cili sipas tyre kishte zgjedhur të drejtonte Kombëtaren e fqinjëve tanë. Megjithatë, FFM-ja nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Drejtuesit e saj kanë pohuar se kanë pasur bisedime zyrtare me ish-trajnerin e Kroacisë dhe Hanoverit, por nuk ishte arritur asnjë akord zyrtar. Nga ana tjetër, krerëve të FSHF-së nuk iu ka bërë përshtypje ky lajm, pasi ata kishin informacione të sigurta se i kishin ofruar trajnerit kroat më shumë para se sa maqedonasit. Madje ata as që e kanë marrë mundimin që t’i telefonojnë teknikut, për ta pyetur në lidhje me situatën e krijuar dje në orët e vona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›