Hamburgu një hap para Bremenit
Pas Ligës së Kampioneve, edhe Kupa UEFA ka hyrë në fazën e saj të nxhetë, pasi dje janë zhvilluar gjysmëfinalet e para të kompeticionit. Në stadiumin Valeri Lubanovski, në Ukrainë, derbi ndërmjet Dinamos së Kievit dhe Shahtjor Donetsk ka përfunduar në barazim 1-1. Skuadra e stërvitur nga trajneri rumun, Mirçea Luçesku ka ditur t’i kundërpërgjigjet mjaft mirë golit të parë të djemve nga Kievi, ose më saktë autogolit të shënuar në portën e tij nga mbrojtësi i Shahtjorit, Çigrinski në minutën e 22-të, rezultat që mbylli edhe pjesën e parë. Gjithsesi, skuadra nga Donetsk luan shumë më mirë se rivalët e tyre dhe në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 68-të barazojnë rezultatin me brazilianin Fernandinjo, por në minutat e mbetura rrezikojnë të shënojnë edhe golin e avantazhit. Gjithsesi, nga sa u pa në ndeshjen në këtë takim të parë, Shahtjori, përveçse i favorizuar nga goli në fushën kundërshtare, është shumë më pranë finales së Stambollit. Ndërkohë, në Gjermani skuadra e Martin Jolit merr një fitore shumë të rëndësishme në transfertën e Bremenit, kundër Verderit me rezultatin 0-1. Hamburgu tashmë me avantazhin e një goli, të shënuar nga Troçovski në minutën e 28-të të pjesës së parë, dhe me ndeshjen e kthimit në shtëpinë e saj, është vetëm një hap larg kualifikimit për në finale.