Berisha në Përrenjas: “Do ta ulim me pesë vjet moshën e pensionit të minatorëve”
Kryeministri Berisha deklaroi gjatë një mitingu në qytetin e Përrenjasit se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të ulë me 5 vjet moshën e pensionit të minatorëve. “Ju jeni një qytet minierash dhe industrie mineralesh. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por unë vij prapë këtu që t’u premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të ulë me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh, por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t’i rris pensionet tuaja”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shpjeguar se nuk mund të miratojë status të minatorëve për shkak se nuk e lejon reforma europiane për pensionet. “Por reforma europiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, lejon rritje pensionesh dhe ne do t’ua rrisim ato, lejohet ulja e moshës dhe unë do ta ul moshën e pensionit. Unë i garantoj minatorët e Përrenjasit se do t’i rris në mënyrën më të fuqishme pensionet e tyre. Unë i garantoj gjithë pensionistët shqiptarë se në katër vitet që vijnë pensionet e tyre do të jenë më të mëdha se pensionet e qytetarëve të 6 vendeve anëtarë të Bashkimit Europian. I garantoj qytetarët e Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se nuk do të ketë qytetar në këto rrethe të Shqipërisë që të marrë nën dy dollarë në ditë, qoftë ndihmë ekonomike apo cilado qoftë ajo pagesë. Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave duke parakaluar jo dy vende të Bashkimit Europian, siç kemi bërë deri tani, por 6 vende anëtare të Bashkimit Europian”, - është shprehur Berisha.
15 Qershor 2009