E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimet e përsëritura të Berishës nga njëra fushatë në tjetrën

Disa nga pikat e programit të ri të PD-së, të njëjta me premtimet e 2005-s. PD-ja dështon në reformën në shëndetësi, ujë 24 ore, luftë kundër korrupsionit etj.

Eljona Ballhysa
Partia Demokratike ka publikuar në faqen zyrtare në internet pikat kryesore të programit politik me të cilat garon në zgjedhjet e 28 qershorit. Programi bazohet në premtimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, në hapjen e vendeve të reja të punës, në zhvillimin e infrastrukturës dhe të energjisë dhe në reformën në arsim dhe shëndetësi. Por ajo që bie në sy është se janë pothuajse të njëjtat pika programore me të cilat PD-ja garoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha, në takimet që zhvillon në rrethe të ndryshme të vendit, përveç retorikës së njëjtë politike, shpeshherë përsërit premtimet e 4 viteve më parë. Përsëritja e premtimeve nuk tregon gjë tjetër veçse mosmbajtjen e tyre, mosrealizimin gjatë mandatit të kaluar qeveritar.
Premtimet
Në programin e vitit 2005 demokratët parashikuan se nëpërmjet shpërndarjes së drejtë të të ardhurave për frymë do të arrinin zbutjen e pabarazisë dhe reduktimin e shpejtë të varfërisë. Pikërisht edhe gjatë kësaj fushate elektorale demokratët po vazhdojnë të premtojnë zhdukjen e varfërisë. Madje kryeministri Berisha ka deklaruar se asnjë banor nuk do të marrë gjatë mandatit të ardhshëm më pak se 2 dollarë në ditë. “Brenda 4 viteve të ardhshme do të përgjysmohet niveli i varfërisë monetare, ndërsa asnjë shqiptar nuk do të jetojë më nën nivelin ekstrem të varfërisë ushqimore”, - është ky një premtim i PD-së në 2005-n. Por, të gjithë janë dëshmitarë se ende në Shqipëri ka familje që jetojnë në varfëri ekstreme.
Një tjetër premtim i fushatë së PD-së para katër viteve ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, premtim të cilin e kemi dëgjuar shpesh këto ditë të fushatës aktuale. “Furnizimi me ujë të pijshëm dhe largimi e trajtimi i ujërave të zeza është gjithashtu një prioritet madhor i qeverisë, për të cilin do të alokohen fonde të konsiderueshme për investime dhe mirëmbajtje”, - shkruhet në programin e 2005-s të PD-së. PD-ja premtoi se gjatë mandatit katërvjeçar do të reduktonte papunësinë deri në nivelin mesatar të vendeve të zhvilluara europiane, ndërsa këtë vit kryeministri Berisha premtoi se gjatë mandatit të dytë qeverisës PD-ja do të hapë 160 mijë vende të reja pune.
“Në veçanti, në 4 vitet e ardhshme, do të kryhet shtrimi e asfaltimi i 4000 km rrugë rurale me efekte të shumëfishuara në uljen e varfërisë dhe rritjen e mundësive për zhvillim të zonave rurale e malore të vendit”, - ishte një tjetër pikë e programit të PD-së në 2005-n. Gjatë takimeve në komuna të ndryshme të vendit kryetari i PD-së dhe kandidatët për deputetë të kësaj partie vazhdojnë të premtojnë investime në infrastrukturën rurale dhe asfaltimin e rrugëve të komunave. Duket se ky është një tjetër premtim i pambajtur i PD-së. “Do të sigurohet kompjuterizimi dhe lidhja në internet në çdo shkollë e klasë”, - shkruhet në programin e PD-së. Ndërkohë që gjatë kësaj fushate, për shkak të mosfunksionimit të internetit, shumë zyra të gjendjeve civile kanë hasur probleme në pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, ndaj dhe këtë fushatë ky vjen si një tjetër premtim i përsëritur. Ndërsa çështje të rëndësishme, siç janë kthimi dhe kompensimi i pronës, dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë, reforma në shëndetësi dhe arsim, vazhdojnë të jenë pikat kyçe të programeve politike për gati 18 vjet.
Mosrealizimet
Përveç premtimeve që përsëriten dhe që mund të kenë nisur të realizohen deri diku, ka dhe nga ato pika programore që edhe pas 4 vitesh nuk janë realizuar. “Transparenca e financimeve të partive dhe kandidatëve në zgjedhje do të jetë gjithashtu një tjetër objektiv madhor i reformës zgjedhore”, - është zotimi i bërë në programin e PD-së në vitin 2005. Por, pavarësisht sanksionimit të saj në Kodin e ri Zgjedhor, partitë politike dhe kandidatët vazhdojnë të fshehin burimin e të ardhurave financiare duke e bërë këtë një objektiv të parealizuar.
“Respektimi dhe garantimi i pavarësisë së pushteteve do të sigurojë funksionim e institucioneve bazuar në Kushtetutë dhe në ligj”, - është një tjetër pikë programore, e cila gjatë katër viteve të kaluara jo vetëm që nuk është zbatuar, por ka përbërë çështjen më të debatuar politike. Gjatë katër viteve kemi ndeshur sulme dhe presion ndaj institucioneve të pavarura nga qeveria dhe Kuvendi, veçanërisht kundër Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë dhe Presidentit.

Premtimet

PD-ja vazhdon të premtojë zhdukjen e varfërisë
PD-ja vazhdon të premtojë furnizimin me ujë 24 orë
PD-ja vazhdon të premtojë hapjen e vendeve të reja të punës
PD-ja vazhdon të premtojë investime në infrastrukturën rurale dhe asfaltimin e rrugëve të komunave
PD-ja vazhdon të premtojë internet në çdo shkollë e shtëpi
PD-ja vazhdon të premtojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës
PD-ja vazhdon të premtojë dëmshpërblimin e shtresës së ish-të përndjekurve politikë
PD-ja vazhdon të premtojë reformë në arsim dhe në shëndetësi

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›