E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Prishtinë: “Shqipëria do të vazhdojë lobimin për njohjen e Kosovës”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka garantuar qeverinë e Kosovës, por dhe popullin kosovar, se qeveria shqiptare do të vazhdojë të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete të botës. Këtë deklaratë kreu i qeverisë shqiptare e bëri dje në Prishtinë, ku ka nisur vizitën dyditore, të parën që pas pavarësisë së Kosovës. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Berisha u prit nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga presidenti Sejdiu dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Kosovës. Gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, Berisha nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi që synojnë lëvizjen e lirë midis dy vendeve, bashkëpunimin policor ndërkufitar si dhe bashkëpunim në nivel administrativ. Gjatë fjalës në këtë takim Berisha vlerësoi arritjet e Kosovës gjatë 20 muajve të fitores së pavarësisë. Por Berisha vuri theksin në rolin që do të luajë Shqipëria në ndihmë të shtetit të ri të Kosovës.
Ndihma
“Shqipëria ka angazhuar dhe do të angazhojë misione të vazhdueshme për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Shqipëria e ka këtë një detyrim madhor ndaj një vendi, i cili është vëlla. Ndaj, Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, ka dërguar dhe do të dërgojë emisarë në të gjitha kancelaritë për të qartësuar se njohja e Kosovës është një shans për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Teza jonë është e hapur. Asnjë vend nuk e ka njohur Kosovën për arsye tjetër, përveç se faktit që pavarësia është faktor madhor për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon”, - është shprehur kryeministri shqiptar. Gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, Berisha vuri në dukje se gjatë këtyre muajve Kosova ka bërë hapa përpara në drejtim të respektimit të minoriteteve. Ai tha se Kosova po konsolidon një sistem decentralizimi ndër më të mirët, si dhe ka vendosur standardin e zhvillimit të zgjedhjeve të lira. “Në 20 muaj, këtu, në Kosovë po vendosen disa standarde, të cilat do t’i kenë lakmi të gjitha vendet e tjera. Këtu po vendosen standardet më të gjera të respektimit të pakicave dhe unë jam i bindur se ky është një kontribut i madh i Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në Kosovë po konsolidohet një sistem decentralizimi ndër më të mirët. Në Kosovë është krijuan dhe po vazhdon të konsolidohet tradita e zgjedhjeve të lira. Pra, kemi të bëjmë me disa zhvillime shumë të rëndësishme, në një kohë rekord të shkurtër”, - është shprehur Berisha, i cili vlerësoi dhe rolin e KFOR-it dhe të EULEX-it, si dhe shprehu bindjen se rruga e Kosovës tashmë është integrimi në NATO dhe BE. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se qeveria shqiptare, pas ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, do të nisë shumë shpejt ndërtimin e rrugës Qafë Morinë-Shkodër, si dhe do të vërë në dispozicion të Kosovës Portin e Shëngjinit. “Gjatë këtij mandati ne do të ndërtojmë autostradën tjetër Qafë Morinë-Shkodër, një pjesë e mirë është e ndërtuar, por pjesën tjetër të pandërtuar, që është 34 kilometra, në mënyrë që Kosova Perëndimore të ketë dalje më të shpejtë në det. Porti i Shëngjinit është i gatshëm. Qeveria shqiptare do t’ia japë Kosovës në dispozicion të plotë këtë port. Vitin e ardhshëm do të nisë studimi i fizibilitetit dhe projektimi i hekurudhës që do të lidhë dy vendet tona. Ne do të kompletojmë hekurudhën me Maqedoninë, por do të lidhemi edhe me Kosovën”, - është shprehur Berisha. Ndërsa kryeministri Thaçi, gjatë fjalës së tij, e cilësoi Berishën si arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, të shqiptarëve, në ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë. “Sot prita edhe jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kryeministrin Sali Berisha, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës”, - është shprehur Thaçi, i cili vuri në dukje raportet miqësore midis dy vendeve. Të pyetur për rrugëtimin e Shqipërisë dhe Kosovës drejt BE-së, të dy kryeministrat u shprehën se ky është rrugëtimi i një kombi, por i dy shteteve të ndryshme nga njëri-tjetri.
Zgjedhjet
Gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Berisha vlerësoi lart figurën e tij dhe rolin që ai ka luajtur për pavarësinë e Kosovës. Të dy figurat u përqendruan më së shumti në zhvillimin e zgjedhjeve të nëntorit në Kosovë. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Berisha bënë thirrje për pjesëmarrjen e komunitetit serb në këto zgjedhje. “Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme dhe punë të dimensioneve të ndryshme, me kontakte dhe forma të tjera, që qytetarëve serbë t’u ofrohet drejtpërdrejt mundësia që të zgjedhin. Gjithashtu, të zgjedhin edhe në komunat e reja që do të formohen dhe që janë formuar me një vendim të veçantë të institucioneve të vendit për të realizuar premtimin dhe zotimin tonë të paketës ‘Ahtisari’. Për ne është tepër irracionale qasja që Beogradi e bën si thirrje për të penguar këta njerëz që të dalin dhe të japin votën e tyre për njerëzit e tyre, që janë njerëz të Kosovës. Në studimet që ne kemi bërë edhe në kontaktet që kemi pasur ekziston një gatishmëri e qytetarëve serbë, edhe atyre që kanë hezituar më tepër që në fazat e mëhershme, që t’i kthehen realitetit. Ne i bëjmë thirrje dhe unë i ftoj, edhe nga kjo foltore, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe njerëzore që të jenë në një proces të madh të Kosovës, të zgjedhin ata që mendojnë se duhen zgjedhur”, - është shprehur presidenti Sejdiu. Ndërsa Berisha tha se “qëndrimet ndaj zgjedhjeve janë komplekse dhe diktohen nga shumë faktorë, por interesi më i mirë i serbëve në Kosovë është të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të përfitojnë një shans në vendosjen e standardeve të shkëlqyera të përfaqësimit, të lirive dhe të drejtave të minoriteteve”.

Presidenti Sejdiu nderon Berishën me “Medaljen e artë të lirisë”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e nderoi dje kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me “Medaljen e artë të lirisë”, me motivacionin “Për kontributin e lartë në mbrojtje të lirisë së Kosovës”. Kjo medalje iu dha kryeministrit Berisha nga presidenti Sejdiu gjatë seancës plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit Berisha. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidenti Sejdiu, vlerësoi përkrahjen dhe kontributin e rëndësishëm të kryeministrit Berisha dhënë në vite për Kosovën dhe popullin e saj: “Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra për përkrahjen e parezervë që ju, qeveria dhe i gjithë populli i Shqipërisë i keni dhënë Kosovës në vazhdimësi, dhe në çastet më të rënda të historisë sonë”, - u shpreh zoti Sejdiu. Nga ana e tij, kryeministri Berisha, duke e vlerësuar këtë medalje si nderimin më të madh, u shpreh: “Zoti President, medalja e artë që më akordoni sot përbën për mua një akt madhor krenarie për të gjithë kontributin që qytetarët e Kosovës dhe Kosova dha për lirinë e kombit, lirinë e rajonit dhe më gjerë, përbën për mua nderimin më të madh, sepse këtu në Kosovë u zhvilluan të gjitha lëvizjet e mëdha për liri të shqiptarëve, ndaj dhe unë ndihem shumë krenar me medaljen që ju më dhatë”.
Kryeministri Berisha më parë mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku ndër të tjera vlerësoi rolin e ish-Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe veprën e heroit Adem Jashari. “Sot dua që nga kjo platformë, një nderim të veçantë të shpreh për burrin e madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, arkitektin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rrugova, që me përfaqësimin e civilizuar, guximin, urtësinë dhe mençurinë e tij bëri që Kosovën ta donin dhe ata që s’e deshën, ta njihnin edhe ata që nuk e kishin njohur. Unë dhe çdo shqiptar përulem me nderimin më të madh për komandantin legjendar, tribunin e lirisë, Adem Jashari, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, - është shprehur Berisha, i cili garantoi dhe njëherë mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë të japë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›