Ministri i Jashtëm i Serbisë, Jeremiç, fton Metën të vizitojë Serbinë
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka takuar dje në Budapest homologun serb, Vuk Jeremiç. Çështje të bashkëpunimit mes dy vendeve kanë qenë në qendër të bisedës gjatë këtij takimi. Përmes një konference të përbashkët për shtyp, Meta e Jeremiç kanë folur për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërsa u shprehën të gatshëm për marrëveshje të reja bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kreu i diplomacisë serbe ka ftuar ministrin Meta të vizitojë Serbinë. Gjatë fjalës së tij Jeremiç theksoi se e ardhmja e dy vendeve është integrimi i tyre i plotë në Bashkimin Europian. Edhe ministri shqiptar është shprehur entuziast për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar për të kompletuar kuadrin ligjor për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Unioni Europian. Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor u mblodhën dhe në një samit në Budapest.
7 Tetor 2009