Berisha në Shkodër: “Ne ia dolëm të shmangim një katastrofë njerëzore”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile në Shkodër, u shpreh se qeveria që ai drejton ia doli të shmangë një katastrofë njerëzore. Kryeministri e cilësoi situatën e krijuar në zonën veriperëndimore të vendit për shkak të përmbytjeve në prag të katastrofës, por që sipas tij u arrit të shmangej për shkak të një operacioni shpëtimi më të fuqishëm që është ndërmarrë ndonjëherë. Në fjalën e tij Berisha i urdhëroi ministritë e linjës që të marrin masat për kthimin e këtyre zonave në normalitet. Ai sugjeroi hartimin e planeve të ndryshme për ndërtimin e kanalizimeve përkatëse për kullimin e ujit dhe tharjen e fushave që i cilësoi si më pjelloret në vend. Gjithashtu Berisha përjashtoi edhe njëherë çdo mundësi gabimi nga KESH-i për krijimin e kësaj situate, duke u shprehur se KESH-i ka zbatuar me përpikëri rregulloren.
Meritat
Kryeministri Berisha, ndërsa është shprehur se situata në zonat e përmbytura po shkon drejt normalizimit, nuk ka hezituar ta përdorë këtë situatë politikisht duke vlerësuara masat e marra nga qeveria. “Kësaj situate ekstreme iu përgjigjën me shkallë të lartë mobilizimi. Qeveria dhe ministritë reaguan me një shpejtësi shumë të madhe. Deri sot ne ia dolëm të shmangnim një katastrofë njerëzore, kur ishim në prag të saj. Sot vërtet kemi 10 mijë ha të përmbytur, por nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur. Kjo është meritë e jashtëzakonshme, një operacion shpëtimi nga më të fuqishmit, më të suksesshmit që vendi ka njohur”, - është shprehur kryeministri. Berisha bëri të ditur se aktualisht janë mbi 800 anëtarë të Forcave të Armatosura që operojnë në këto zona, janë mbi 611 anëtarët e Policisë që operojnë në zonë, janë 110 veta personel shëndetësor që operon në zonë, janë 115 punonjës të Gardës së Republikës e të Rezervave të Shtetit që operojnë në këtë zonë, janë edhe disa qindra e qindra të tjerë, drejtues të komunave, të Bashkisë së Shkodrës, Prefekturës e qarkut të saj. Pra, operacioni në tërësi përfshin mbi 2000 ushtarakë, policë, civilë e zyrtarë të të gjitha rangjeve. Më tej Berisha theksoi se problem vazhdon të mbetet katastrofa ekologjike, pasi janë përmbytur fusha ndër më pjelloret e vendit.
“E vërteta është se janë shpëtuar jetët e njerëzve, por aty, në rrafshin ekologjik, është një katastrofë. Ndodhen nën ujë territore të tëra ndër më pjelloret e trojeve shqiptare. Kjo ka qenë dhe është një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor të vendit”, - është shprehur kryeministri.
Masat
Më tej kreu i qeverisë vuri theksin në domosdoshmërinë e projekteve për kthimin e zonës në normalitet. “Është e domosdoshme që përparësi të kemi evakuimin, identifikimin dhe ndihmën emergjente, por krahas kësaj duhet të ekzistojnë planet ‘B’, ‘C’, ‘D’ e me radhë, deri në normalizimin total të zonës së përmbytur. Ne jemi përgatitur për një dimër të gjatë, sepse të tilla janë të dhënat. Ndaj dhe po ndërmarrim masa edhe afatshkurta, por edhe afatmesme. Ne kemi filluar thellimin e Bunës, një projekt që do ta nisim për qëllime lundrimi dhe turistike, por që ky projekt shpresojmë në ndihmojë dhe në drenimin e këtij liqeni të madh, të krijuar në zonat e përmbytura. Është jetike që ndërmarrjet e kanalizimeve dhe ujësjellësve, ndërmarrjet e kullimit dhe vaditjes, të Ministrisë së Punëve Publike, të Ministrisë së Bujqësisë, të kenë të gatshme projektet për ndërhyrjet më energjike të rivendosjes së plotë të funksionimit të të gjithë sistemit të kanalizimeve, të të gjithë sistemit të kullimit në zonë”, - është shprehur Berisha.
Kryeministri theksoi dhe njëherë gjatë fjalës së tij gatishmërinë e qeverisë për të zhdëmtuar të gjithë banorët e zonave të përmbytura. “Do të regjistrojmë të gjitha dëmet dhe do t’i zhdëmtojmë ato në çdo drejtim. E rëndësishme në të gjithë këtë situatë është që nuk ka pasur humbje në njerëz. Gjithashtu duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë”, - është shprehur Berisha.
Mbështetja
Kreu i Ekzekutivit e ka cilësuar këtë situatë si një fatkeqësi natyrore duke përjashtuar mundësinë e ndonjë gabimi teknik. Ai ka mbështetur çdo vendim të marrë nga KESH-i, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë akuzat e përfaqësuesve të opozitës. “Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e të mbarë Shqipërisë se Korporata Energjetike e Shqipërisë, Ministria e Energjetikës, kanë bërë një punë jashtëzakonisht eficiente. Ato u përballën me situatën më të jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe. Ata që mund të akuzojnë për digat po u them vetëm 2 fjalë: në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë ‘ora e Shkodrës’, sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të paparashikueshme në këtë mot të papërsëritur në 100 vitet e fundit. Por digat dhe menaxhimi i tyre, bashkërendimi i këtij menaxhimi me situatën në terren, mbajtja si parim kryesor sigurinë kombëtare, sigurinë publike, ka qenë një nga pjesët më të rëndësishme të këtij operacioni”, - është shprehur Berisha.
Topalli takon drejtues të qarqeve dhe bashkive për përmbytjet në Shkodër
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në takimin me kryetarë të qarqeve, bashkive dhe komunave të vendit, anëtarët e Komitetit Ndërministror të Emergjencave, drejtues të shoqatave të qeverisjes vendore, deputetë, drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit, që u mbajt në Universitetin “Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Takimi, veç analizës së gjendjes në zonat e përmbytura dhe koordinimit të mëtejshëm të masave, kishte për qëllim dhe dëshminë e një solidariteti mbarëkombëtar për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe pushtetit lokal të këtyre zonave, në tejkalimin e situatës. Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror të Emergjencave, ndërkohë që vijon të ndjekë orë pas ore situatën në qytetin e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura.
12 Janar 2010