E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, plan evakuimi për 20 mijë banorë

Albert Gjoka

Qeveria ka ndryshuar planet që ka pasur deri tani për përballimin e përmbytjes në Shkodër, duke trefishuar të dhënat për planet e emergjencës. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile ka paraqitur te donatorët një projekt për zhvendosjen e 16-20 mijë personave nga zonat e prekura nën ujë. Një fakt i tillë është bërë i ditur në raportin e përditshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me menaxhimin e emergjencave. Të njëjtën shifër zyrtarisht jep edhe NATO-ja, sipas së cilës Tirana zyrtare parashikon evakuimin e mbi 16 mijë banorëve nga zonat e prekura nga fatkeqësia. Deri në këto momente, zoti Berisha, por edhe kryetari i grupit të punës që menaxhon Komitetin e Emergjencave, kanë deklaruar për një plan shpëtimi që përfshin largimin nga zonat e banuara të 2200 familjeve, ose rreth 8800 persona. Ndryshimi i planeve duket se është i kushtëzuar edhe nga situata rënduese në qarkun e Shkodrës, por edhe nga mungesa e fondeve nga ana e qeverisë për përballimin e shpenzimeve.

Qeveria, plan tjetër
Deri tani qeveria shqiptare ka deklaruar se ka një plan shpëtimi për vetëm 2200 familje në qarkun e Shkodrës. Në bazë të kësaj pakete masash, ajo ka vendosur në funksion të gjithë infrastrukturën që ka në dispozicion. Por, një tjetër plan funksionon në raportet e kabinetit “Berisha” me donatorët. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të agjencisë së OKB-së për emergjencat civile “OCHA”, qeveria shqiptare ka planifikuar që mund të zhvendosë nga frika e përmbytjeve deri në 20 mijë persona. Në raportimin e ditës së diel për situatën në zonat veriore të vendit është publikuar e dhëna që flet për rritjen e numrit të personave të evakuuar në rrethin e Shkodrës për shkak të përmbytjeve. “Qeveria shqiptare thotë se mund të jetë i nevojshëm një tjetër evakuim banorësh, që mund të arrijë në 16-20 mijë persona (4000-5000 familje)”. Ndihmat e agjencisë së OKB-së pritet të mbërrijnë në vendin tonë gjatë ditës së sotme. Po ashtu, do të ketë edhe ekspertizë për kapërcimin e situatës. Të njëjtën shifër jep edhe NATO-ja, e cila iu referohet nevojave që ka paraqitur qeveria shqiptare.

Zhvendosjet në Shkodër
Që nga data 2 janar dhe deri ditën e djeshme janë bërë evakuime në mënyrë të vazhdueshme nga shtabet e emergjencës. Aktualisht, janë rreth 5000 banorë që janë larguar nga banesat e tyre dhe një pjesë e madhe janë trajtuar në qendrat e ngritura enkas për ta. Zëdhënësi i Bashkisë Shkodër, Ritvan Dibra, njëherësh pjesë e Shtabit të Emergjencës, deklaroi se shumë banorë kanë refuzuar që të vendosen në këto qendra. Të paktën rezultojnë 500 vende bosh, pasi personat që i kanë banesat nën ujë janë strehuar te të afërmit e tyre. Në konviktet e shkollave të mesme dhe të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër janë strehuar me qindra banorë. Pjesë e kampeve të pritjes janë edhe hotelet private dhe repartet ushtarake që ndodhen në këtë zonë. Edhe gjatë ditës së djeshme janë kryer operacione evakuimi nga disa komuna të qarkut të Shkodrës. (Për më shumë, shih tabelën me numrin e të evakuuarve që nga e mërkura e javës së kaluar.)

Modifikimi i planeve
Reshjet e këtyre ditëve, të cilat pritet të vazhdojnë deri në fundjavë dhe rreziqet që vijnë nga liqeni i Shkodrës dhe nga lumi Buna, e kanë detyruar qeverinë që të rishikojë planet e saj për përballimin e fluksit që mund të vijë nga zonat e përmbytura. Komiteti i Emergjencave Civile ka modifikuar planet, duke e çuar në rreth 20 mijë numrin e mundshëm të banorëve që preken nga vërshimet e ujërave dhe për këtë ka kërkuar ndihmë te donatorët. Një zhvendosje masive kaq e madhe duket e papërballueshme për Ekzekutivin shqiptar. Kjo mund të jetë një tjetër arsye që e ka detyruar qeverinë shqiptare për të kërkuar ndihmë te donatorët, të cilët kanë ofruar ndihma gjatë këtyre ditëve. Po ashtu, shumë vende të tjera po ofrohen për të kontribuuar në përballimin e situatës.

I - STATISTIKAT SIPAS DITËVE
Persona të evakuuar

E hënë – ora 17:00
4850 persona
E diel – ora 22:00
4780 persona
E shtunë – Ora 18:00
4177 persona
E premte – Ora 22:00
4025 persona
E enjte - Ora 19:00
3407 persona
E mërkurë - Ora 19:00
527 familje

VENDET QË KANË DHËNË NDIHMË
Kosova
Italia
Greqia
Gjermania
Moldavia
Sllovenia
Maqedonia

Organizata
NATO
BE
OKB
Kryqi i Kuq
Karitasi

SHKURTE

OKB-ja ofron 270 mijë USD për përmbytjet

TIRANË – OKB-ja vendosi të ndihmojë zonat e përmbytura me një fond prej 270 mijë dollarësh. Në një njoftim për shtyp të zyrës së Kombeve të Bashkuara thuhet se kjo organizatë është shumë e shqetësuar për popullatën e prekur. Gulden Turkoz-Cosslett, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ka deklaruar: “Kemi parë frymën e solidaritetit me të cilën qeveria dhe institucione të tjera po i përgjigjen kësaj situate, përfshi mbështetjen e dhënë në kohë nga komuniteti ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara i bashkohen përpjekjes mbarëkombëtare për të tejkaluar këtë kohë të vështirë. Pas konsultimeve të ngushta me qeverinë dhe anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë vendosur të kontribuojnë 270 000 dollarë në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë për t’iu përgjigjur kësaj emergjence.

Italia jep 250 mijë euro ndihmë për Shkodrën

ROMË - Italia do të dërgojë ndihma humanitare në vlerën e 250 mijë eurove. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e ministrit të Punëve të Jashtme, Franko Fratini. Operacioni parashikon nisjen e një kamioni me ndihma që natën e 13 janarit nga Porti i Barit drejt Durrësit, për të mbërritur më 14 janar në Lezhë. Në ndihmat, të cilat në total arrijnë deri në 40 tonë, përfshihen mbulesa, çadra, enë kuzhine, mbajtëse uji, gjeneratorë elektrikë, gomone të mjaftueshme për 3500 të evakuuar. Ngarkesa do të pritet nga Ambasada Italiane në Tiranë dhe më pas do t’i dorëzohet Mbrojtjes Civile shqiptare, e cila do të merret dhe me shpërndarjen e saj në zonat e goditura.

Franca ofron gjeneratorë dhe pompa uji

TIRANË – Edhe Franca është bërë pjesë e vendeve që kanë ofruar ndihmë për zonat e përmbytura në Veri të vendit. Përmes një deklarate për shtyp të Ambasadës së këtij vendi në Tiranë, është bërë e ditur se ky vend do të ofrojë disa pajisje teknike për kapërcimin e krizës. “Ndërkohë që Veriu i Shqipërisë është prekur nga përmbytje të mëdha, të cilat i detyruan autoritetet të shpallin gjendjen e katastrofës natyrale, Franca dëshiron t’u shprehë qeverisë dhe popullit shqiptar mbështetjen dhe solidaritetin e saj”, - thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, “në bashkëpunim të ngushtë me MIC dhe Austrinë, Franca dëshiron të shprehë në mënyrë konkrete solidaritetin e saj duke dërguar për zonat e përmbytura disa gjeneratorë dhe pompa uji”.

Kisha Ortodokse, 5 tonë ndihma në Veri

TIRANË - Duke iu përgjigjur situatës dramatike të krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, me kujdesin e drejtpërdrejtë të kryepeshkopit Anastas, Kisha Ortodokse dhuroi dje pesë tonë ndihma. Ato përmbajnë ushqime, veshmbathje, shtresa etj. Dorëzimi i tyre u bë në magazinat e krijuara nga Shtabi i Emergjencës në Shkollën e Mesme Industriale, në prani të nënkryetarit të Bashkisë, përfaqësuesve të Prefekturës etj. Ata e konsideruan ndihmën shumë të nevojshme dhe një shembull që duhet ndjekur, sepse emergjenca ka sjellë nevoja të mëdha dhe do të zgjasë në kohë.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›