E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në bregdet: Investoni në shtëpi

Kryeministri Sali Berisha u kërkoi dje banorëve të bregdetit që të investojnë në pronat e tyre për të përmirësuar turizmin në këmbim të kredive të buta që do u jepen nga shteti shqiptar. Gjatë përurimit të fillimit të punimeve në rrugën e plazhit Potam në Himarë, Kryeministri është shprehur për investime të mëdha në fushën e turizmit. Ai u kërkoi banorëve që të shtojnë dhomat apo katet në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të plotësohen nevojat e turistëve. "Një thirrje miqësore iu bëj të gjithë qytetarëve të Himarës, të Lukovës, të Ksamilit, të Sarandës dhe të bregut në tërësi që të shfrytëzojnë mundësinë e zgjerimit të shtëpive të tyre, e shtimit të një kati, apo shtimit të një dhome, të përmirësimit të tyre, pasi shteti do të garantojë kredi të buta dhe kjo është një nga mënyrat kryesore për të përballuar fluksin e një rritjeje më të madhe. Këtë vit Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe në botë për sa i përket turizmit", deklaroi Kryeministri. Kreu i ekzekutivit, duke bërë bilancin e sezonit veror, u shpreh i kënaqur për shifrat e arritura, madje sipas tij, edhe pse bota ndodhet në një krizë ekonomike, Shqipëria shënon 36% rritje të turizmit krahasuar me një vit më parë. "Shqipëria këtë vit me sa duket do të zërë vendin e parë në botë, sipas disa agjencive të huaja, për rritjen e shpejtë të numrit të turistëve. Viti i krizës më të madhe botërore në Shqipëri u shoqërua nga një rritje prej 36% të turizmit krahasuar me vitin e kaluar. Turizmi është ajo degë e ekonomisë shqiptare, nga e cila përfiton numri më i madh i familjeve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë", vijoi Kryeministri. Megjithëse foli për sukseset, Kryeministri përmendi edhe për mangësitë e turizmit, ndaj siç theksoi ai, është koha për ndërhyrje të menjëhershme për të rritur kapacitetet. Synimi është që Himara, Saranda e Lukova të presin aq turistë në të ardhmen sa pret e gjithë Shqipëria sot. "Zoti Bollano, unë ju garantoj se së bashku me ju dhe qeveritarët e tjerë vendorë, të ultësirës bregdetare dhe të Bregut të Jonit, shumë shpejt do të takohemi për të bërë analizën dhe për të përcaktuar detyrat, përparësitë për ndërhyrjet më të shpejta të mundshme, duke njohur se detyra e qeveritarëve është të shohin më shumë dobësitë, se sa sukseset", tha Berisha. Sukseset flasin vetë, u shpreh ai, por dhe dobësitë flasin dhe duhet t‘i korrigjojmë. "Duhet që qeveritë vendore dhe qeveria qendrore t‘i shndërrojnë në përparësi absolute ndërhyrjet e shpejta për të përgatitur vitin e ardhshëm një sezon turistik, më të mirin që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj", tha Kryeministri. Ndaj ai i garantoi banorët se rritja e turizmit do të vazhdojë për vite e vite të tëra, se kapaciteti i këtij bregu është dhjetëra herë më i madh se ky që kemi ne sot. "Se vetëm Lukova, Saranda e Himara do të mund të marrin në vitet që vijnë rreth 3 milionë turistë, aq sa pret sot vendi në tërësi. Por ne duhet të synojmë të përmirësojmë kapacitetet, të përmirësojmë kushtet dhe t‘u ofrojmë turistëve kushtet më të mira", nënvizoi Kryeministri Sali Berisha.

Ai siguroi banorët e zonës se qeveria vendore dhe qendrore do të bëjë të gjitha përpjekjet për të krijuar çdo kusht normal që turistët që vijnë nga mbarë bota të kalojnë këtu pushimet më të mira. "Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju falënderoj për mikpritjen që keni treguar ndaj të ardhurve dhe ju garantoj se qeveria do të jetë shumë aktive në transformimin rrënjësor të infrastrukturës në të gjithë ultësirën bregdetare dhe bregun Jonian, në mënyrë që këtë degë kryesore të ekonomisë ta fuqizojë gjithnjë e më shumë", përfundoi Kryeministri.

Berisha:

Jalin ia hoqëm mafies,

ua dhamë banorëve

Kryeministri Sali Berisha fillimisht u ndal në Palasë, ku ka inauguruar fillimin e punimeve për rrugën, e cila lidh nacionalen me plazhin e Palasës, një investim ky rreth 100 milionë euro. Pas prerjes së shiritit, Kryeministri theksoi faktin se këto investime të kryera janë vetëm fillimi për këtë zonë, e cila do të lidhet e gjitha me infrastrukturë rrugore dhe asfalt, nga çdo fshat deri në plazhe, me qëllim nxitjen e mëtejshme të turizmit në këto zona. Një ndalesë tjetër e Berishës ishte Jali, ku inauguroi rrugën prej 5.1 km, me një investim prej 210 milionë lekësh. Projekti parashikohet të përfundojë para verës 2009. "Ky investim afron këtë perlë të vendit dhe të jugut me pushuesit, tha Berisha. Më lejoni t‘ju them se ne i hoqëm Jalit mafien, e cila krenohej në botë se e kishte të vetën dhe ia kthyem atë të zotëve të këtij vendi, që ta gëzojnë. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve që ndërtojnë pa leje në bregdet, të mos e bëjnë një gjë të tillë pa vendim ligjor të njësive vendore", tha ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›