E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Blushi, pa shans pajtimi

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, thyen heshtjen e gjatë në një moment kulmor në karrierën e tij politike, kur vetëm një ditë e ndan nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i partisë që pritet ta ngarkojë ose jo me përgjegjësi direkte pas renditjes së Partisë Socialiste sërish në opozitë, në zgjedhjet e 28 qershorit. Por kundrejt gjithë zërave, publikë ose jo, brenda apo jashtë partisë, që kërkojnë mosrikandidimin e tij për kryetar në PS, Rama thotë në një intervistë për "Top Channel" se deri tani ka preferuar të dëgjojë. "Dua të theksoj shumë qartë se unë kam propozuar vendosjen në statutin e Partisë Socialiste sanksionin që ndërpret mandatin e kryetarit të partisë, në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe që imponon dorëheqjen e kryetarit të partisë. Mandati im është ndërprerë dhe unë jam një kryetar në detyrë dhe një kandidat për të udhëhequr Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme. Jam një kandidat për këtë detyrë, sepse besoj që populli shqiptar në 28 qershor nuk ka votuar kundër projektit tonë të ri politik, por ka votuar largimin e Sali Berishës. Dhe deformimi i këtij vullneti bën që PS, anëtarësia e Partisë Socialiste, të vendosë nëse ky projekt duhet të vazhdojë", tha Rama.

Ai duket i qetë përballë kundërshtarëve të tij brenda partisë dhe shprehet se kongresi do i ketë të gjitha arsyet për t‘i dhënë mundësi pakicës që të shprehet dhe të veprojë, por edhe shumicës të vendosë, dhe të mos ndjehet e kërcënuar nga pakica. "Unë s‘i jam përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef kur ka qenë fjala për kundërshtarët e hapur politikë, që nuk më kanë kursyer mua, por as të gjallët dhe as të vdekurit e familjes sime. Dhe asnjëherë, as sot dhe as nesër, nuk do ta bëj këtë gjë, jo e jo me njerëzit brenda partisë", tha Rama.

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, thotë se Partia Socialiste është pasuri e shqiptarëve dhe se kjo pasuri nuk mund as të dhurohet dhe as të grabitet. "Gara e secilit është individuale, ambiciet dhe qëndrimet e secilit janë të natyrshme dhe legjitime, por PS është një pasuri e të gjithëve dhe duhet të kujdesemi që ta bëjmë një pasuri të vlefshme për shqiptarët. Me këtë rast uroj që pozicionet e kundërta të mos kthehen në një arsye për të minuar atë që është më e rëndësishme, procesin zgjedhor në PS dhe garën", shtoi shefi në detyrë i opozitës.
Rama ngulmon në betejën e tij me kundërshtarët e tij politikë dhe jo me konkurrentët për kryetar të PS-së, me të cilët do të ballafaqohet me një platformë, elementët e së cilës do t‘i zbulojë të shtunën përballë delegatëve të kongresit.

"Dhe nga ana tjetër dua të ritheksoj se unë jam në këtë garë brenda PS-së për të vazhduar betejën me Berishën, betejën me politikën e vjetër, që duke grabitur Shqipërinë, korrupton zgjedhjet dhe duke korruptuar zgjedhjet, rimerr të drejtën për të grabitur Shqipërinë", tha Rama. Një qeveri që, sipas tij, nxjerr në pah lidhje të vjetra, interesa të reja të asaj politike të vjetër, që tashmë është e bashkuar dhe e mishëruar jo thjesht në binomin Berisha-Meta, por në trinomin Berisha-Meta-Nano. "Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve", përfundoi Rama.

Sot Kongresi, Blushi: Nuk ka

arsye të ketë çarje të PS-së

"Në Kongres s‘duhet të bëhet gjyq politik për ata që mendojnë ndryshe"

Ben Blushi, zëri kryesor kundër kryetarit të PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se kryesocialisti po përdor alibi për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nuk pranon gabimet. "Ndahem me ata njerëz që duan të gjejnë alibi për humbjen e zgjedhjeve dhe hyj tek ata që mendojnë se defektet që duhen kërkuar te PS-ja, dobësia e programit, anemia e koalicioneve dhe gabimet personale të Edi Ramës", theksoi Blushi, sipas të cilit, gabimet e bëra nga Rama nuk duhet të jenë përgjegjësi e të gjithë PS-së. Sakaq, ai shpjegoi arsyet përse kërkon me ngulm largimin e Ramës dhe ndryshimet në statut. "Në radhë të parë, nuk kam vendosur të flas për hir të kritikës, por për hir të ndërgjegjes. Unë hyj tek ata njerëz që besojnë se e vërteta duhet të njihet siç është", vijoi Blushi. Arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit do të jenë që sot pika e parë e rendit të ditës në Kongres. Por Ben Blushi ka pikëpamjen e tij për mënyrën se si duhet të analizohen faktet. "Do ishte naive dhe shumë e rëndë që në Kongres të bëhet një gjyq politik për ata që mendojnë ndryshe. Ky kongres duhet të faktojë se për cilat arsye janë vjedhur votat dhe cilët janë ata që mes nesh janë shitur. Nëse Kongresi nuk merret me këtë gjë, nuk do jemi bindës", shtoi Blushi. Megjithëse është i vetëdijshëm se numrat në Partinë Socialiste sot nuk i ka në favor, Ben Blushi në Kongresin e sotëm do të tentojë që të kalojë paketën e propozimeve vetëm me votim të fshehtë, duke shtuar se ka me vete rreth 300 delegatë nga degë të ndryshme të vendit. Por, edhe nëse nuk ia del, Blushi e ka të qartë pozicionin e tij brenda Partisë Socialiste. "Nuk ka arsye të ketë çarje. Çarjet brenda partive ndodhin kur rregullat nuk zbatohen. Kam ekspozuar me 300 delegatë një paketë që mund të gjenerojë një mirëkuptim brenda PS-së. Edi Rama nuk ka një projekt për ta çuar PS-në në fitore. Projekti i tij dështoi më 28 qershor. Do vazhdoj të jem kundër për standardet e dyfishta. Rama nuk ka më një projekt, sepse projekti i tij u votua më 28 qershor, ditë në të cilën nuk fituam", shprehet deputeti socialist. Sakaq, ai nuk fshehu edhe zhgënjimin personal prej sjelljeve politike të Edi Ramës. "Premtoi bashkim, nuk ndodhi, premtoi programin, nuk ndodhi, premtoi dorëheqjen në rast humbjeje, nuk ndodhi, premtoi reformim, nuk ndodhi. Partia Socialiste po kthehet në të shkuarën e saj. Ka shumë njerëz që sot janë të trishtuar. Edi Rama ka një detyrim, nuk duhet ta pengojë PS-në të mundë Sali Berishën. Edi Rama është kthyer në pengesë për rrugën tonë për t‘u kthyer në pushtet", vijoi Blushi.
Ndërkohë Blushi ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për kryetar partie, ndaj sot pritet zyrtarizimi i dy kandidaturave, ajo e kreut aktual, Edi Rama, dhe ajo e Arben Malajt. Sipas Blushit, shmangia e konflikteve dhe disa arsyeve të tjera e detyruan të mos kandidojë për postin e kryetarit të partisë, duke bërë edhe dallimin mes tij dhe Edi Ramës. "Për sa kohë këto gjëra po mohohen, rikandidimi nuk ka shumë sens. Kam konstatuar se disa degë rrethesh kanë kaluar në konflikt për shkakun tim. Dua ta evitoj këtë, sepse unë jap një arsye për t‘u bashkuar shumë shpejt", nënvizoi Blushi. Deri pak ditë më parë, ai konsiderohej si një prej kandidatëve potencialë për të synuar postin e kryetarit të ri të Partisë Socialiste. Kjo përgjithësisht nisur nga sulmet e shumta që Blushi i bëri Ramës kryesisht pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS-së, Blushi deklaroi se e gjykonte të nevojshme për të mos kandiduar në atë garë që ai e cilëson farsë dhe votëbesim të kryetarit Edi Rama.

Bello:

Meidani mbështet

ndryshimet në statut

Një ndër përkrahësit e ndryshimeve në statut, pjesë e grupit që kryeson Ben Blushi, deputeti socialist Marko Bello, konfirmoi dje se platforma që përmban ndryshimet në statut dhe që do tentohet të kalojë vetëm me votim të fshehtë ka 300 delegatë që e mbështesin. Madje, sipas Bellos, mes tyre ka figura me rëndësi, si ajo e ish-presidentit të Republikës, Rexhep Meidani. "Në emër të kolegëve, delegatë të Kongresit të PS-së, ju bëj me dije se rreth 300 kolegë kemi firmosur paketën për ndryshime statutore. Janë delegatë nga e gjithë Shqipëria. Ka midis tyre personalitete të spikatur të PS-së, kontribuues në vite të forcimit të forcës sonë politike, midis të cilëve do të përmendja me shumë kënaqësi profesor, doktor Rexhep Meidanin, i cili gjithashtu ra dakord ta mbështesë këtë paketë, e cila do t‘i paraqitet nesër Kongresit", tha dje Bello. Do të kërkojmë, vijoi ai, që këto ndryshime të vihen në rendin e ditës dhe të votohen përmes një procedure të fshehtë, ku jemi shumë të sigurt se kjo paketë do të mbështetet nga shumica dërrmuese e gjithë anëtarëve të Kongresit. "Sepse, votimi i fshehtë është një votim demokratik, ku secili shprehet pa iu bërë presion, mendimin e vet", deklaroi Bello.

Kongresi

Forumi më i

lartë i partisë

Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i partisë. Kongresi Zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet, kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të AK të PSSH-së dhe me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit, ose 1/3 e anëtarëve të partisë. Mbledhja e Kongresit dhe rendi i ditës lajmërohen 45 ditë më parë. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme legjislative mblidhet Kongresi elektoral i partisë, i cili miraton programin elektoral dhe ratifikon listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë. Kongresi i partisë, përveç atij zgjedhor, si rregull mblidhet 1 herë në vit. Para hapjes së punimeve të Kongresit mblidhet përfaqësia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›