Dade: Strukturat e partisë kërkuan rikandidimin e Ramës
Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Arta Dade, deklaroi dje në një intervistë për "BBC"-në se shkaktari kryesor për humbjen e zgjedhjeve nga PS-ja nuk është zoti Rama. Dade tha se vëmendja e opinionit duhej të përqendrohej te "zgjedhjet e deformuara" dhe jo vetëm në zhvillimet në PS. "Zoti Rama nga strukturat e partisë nuk konsiderohet shkaktari kryesor, sepse edhe vetë firmëtarët e ndryshimeve statutore apo të një flete prej 5 pikash që u avancua në kryesi, e kanë vlerësuar punën e zotit Rama në zgjedhje dhe në mbledhjen e kryesisë që ne kemi bërë menjëherë pas zgjedhjeve", tha Dade, duke shtuar se PS dhe strukturat e partisë e kanë vlerësuar dhe kanë kërkuar që zoti Rama të rikandidojë. "Është për këtë arsye që ne do të dëgjojmë me vëmendje në kongresin e ditës së shtunë edhe fjalën e zotit Rama, por edhe platformat e kandidatëve potencialë dhe do të përcaktohen dhe rregullat e lojës lidhur me fushatën për zgjedhjen e kryetarit të partisë, e cila besoj se do të jetë menjëherë pas kongresit dhe do të përcaktohet nga kongresi kohëzgjatja e saj, duke garantuar një transparencë të plotë të fushatës dhe të zgjedhjeve sipas parimit një anëtar një votë", vijoi anëtarja e kryesisë. Sa u përket zërave kritikë, Dade u kujtoi se duhet të merren pikë së pari me standardet e zgjedhjeve, kur dihet që këto zgjedhje kanë qenë një pikë kyçe në çështjen e konsolidimit të demokracisë. "Për fat të keq, të gjithë janë marrë me PS-në, në vend që të merreshin me standardet e zgjedhjeve, sepse në fund të fundit, vërtet opinioni publik është i interesuar për zhvillimet brenda PS-së, por unë do të parapëlqeja që opinioni publik dhe analistët të mos e tërheqin vëmendjen drejt PS-së, por të merreshin me çështje më të mprehta që kanë të bëjnë me demokracinë në vend, por edhe me situatën social-ekonomike", vijoi Dade. Sipas saj, ka një tentativë të fshehur për t‘i dhënë paterica zotit Berisha, i cili sigurisht do të bënte përpjekje maksimale për t‘i manipuluar këto zgjedhje, kur dihet që hyri në një fushatë me dosje të frikshme të korrupsionit dhe të krimit shtetëror lidhur me mjaft situata të cilat tashmë opinioni publik vendas e i huaj i ka të qarta dhe është i njohur.
"Kongresi do t‘u hapë rrugën zhvillimeve të mëtejshme, sikurse dhe fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Pra kemi mjaft punë përpara dhe ngutja për të deformuar atë axhendë që do të përcaktohet nga kongresi, besoj që nuk do të jetë e frytshme", përfundoi Dade.
"Kongresi do t‘u hapë rrugën zhvillimeve të mëtejshme, sikurse dhe fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Pra kemi mjaft punë përpara dhe ngutja për të deformuar atë axhendë që do të përcaktohet nga kongresi, besoj që nuk do të jetë e frytshme", përfundoi Dade.