Gjika e Deda kritikojnë Islamin për zgjedhjet
Pas deklaratave të deputetit të PS-së, Kastriot Islami, ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ky i fundit ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka shpjeguar rolin e tij si drejtues i pushtetit vendor dhe anëtar i Partisë Socialiste. "Qysh prej vitit 2003, institucioni i Bashkisë Vlorë dhe i kryetarit të bashkisë është kontrolluar periodikisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe kontrolli financiar i prefektit të Qarkut Vlorë dhe në asnjë rast nuk janë konstatuar shkelje të veprimtarisë financiare apo abuzime me detyrën. Vlerësimin për moralin dhe aktivitetin tim ligjor e bëjnë vetëm institucionet përgjegjëse për kontrollin e kësaj veprimtarie, si dhe qytetarët e Vlorës", theksoi Gjika. Ndërsa në lidhje me akuzat politike të Islamit, me statusin e sekretarit politik rajonal, Gjika ka shtuar: "Gjithkush duhet të fillojë duke e bërë analizën nga vetja dhe pastaj të flasë për të tjerët. Islami më parë duhet të fillojë analizën e vetes, sepse ai është një nga kriminelët e Kodit Zgjedhor". Menjëherë pas Gjikës ka reaguar dhe kryetari i selisë rozë të Vlorës, Eltar Deda, i cili është shprehur se kryesia dhe anëtarët e Partisë Socialiste të Vlorës, si dhe strukturave të saj, nuk dëshirojnë që konflikti të marrë përmasa të një fushate elektorale ndërmjet forcave politike. "Por ne nuk mund të heshtim për akuza të ngritura në drejtim të organizatës së PS-së të Vlorës dhe drejtuesit e saj në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duam t‘i rikujtojmë z.Islami se, si asnjëherë tjetër, PS-ja e Vlorës është votuar në këto zgjedhje thellësisht dhe i ka mundur kundërshtarët me një fitore prej 12500 votash", u shpreh ai. Sipas Dedës, akuzat e Islamit nuk qëndrojnë dhe janë të pabaza, cinike dhe me dashje. Kosta Bajraba, kandidat i PS-në në Vlorë, tha se "dëshiroj të veçoj kontributin e spikatur dhe meritat e veçanta të z.Shpëtim Gjika, në cilësinë e sekretarit politik të PS-së për Qarkun e Vlorës, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit", tha Bajraba.