Në prag të Kongresit, PBDNJ lë të hapur kalimin djathtas
Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut lë të hapur mundësinë e kthimit në qeveri. Pritet që forumet e kësaj partie të shqyrtojnë shumë shpejt edhe njëherë ofertën e Kryeministrit për të marrë pjesë në qeverisjen e re, në strukturat e saj vendimmarrëse. Fakti konfirmohet nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Leonard Solis. "Shumë shpejt do të mbledhim të gjitha strukturat tona, ndërsa u përmbahemi të gjitha fjalëve që kryetari i PBDNJ-së ka deklaruar", shprehet Solis. PBDNJ-ja nënshkroi një marrëveshje paraelektorale me PS-në për zgjedhjet e 28 qershorit, por në përfundimin e tyre, partia e Dules lëshoi akuza të ashpra për vjedhje votash kundrejt aleatëve socialistë, ndërsa atëherë vetë kryetari përjashtoi mundësinë e rikthimit në qeveri. Por me ftesat e herëpashershme të Kryeministrit Berisha pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qëndrimet e kundërta me PS-në, duket se po e afrojnë gjithnjë e më tepër rikthimin e partisë së minoritetit grek në qeverinë e re, për të cilën Solis shprehet se do të ketë jetën e gjatë. "PD-ja ka fituar. PS-ja nuk i ka fituar zgjedhjet për mënyrën se si erdhën. Unë parashikoj një mandat 4-vjeçar të koalicionit PD-LSI dhe nuk parashikoj kriza", tha Solis. Sakaq, janë shtuar zërat brenda kësaj partie që kërkojnë kthimin në qeverinë "Berisha". Dy javë para nisjes së fushatës elektorale, pas shumë debatesh Vangjel Dule pranoi ftesën e Edi Ramës për të dalë së bashku në koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit; ky vendim u shoqërua me largimin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Sakaq, kjo parti shënoi edhe largime drejt Partisë Demokratike. Më 28 qershor, PBDNJ-ja arriti të marrë një mandat dhe këtë në Qarkun e Vlorës, duke mos mundur të marrë votat e nevojshme në Qarkun e Gjirokastrës, ku minoriteti grek është më i përfaqësuar. Pas zgjedhjeve, duke parë rezultatin e ngushtë mes dy partive kryesore, Kryeministri Berisha i bëri një ofertë për kthim në koalicionin e djathtë PBDNJ-së, ofertë që u refuzua nga kreu i kësaj partie, Vangjel Dule. Ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Leonard Solisi, i cili kandidoi në Qarkun e Tiranës, është shprehur i pakënaqur nga bashkëpunimi i partisë së tij me Partinë Socialiste. Madje, dy ditë pas zgjedhjeve, gjatë procesit të numërimit të votave, Solis akuzoi komisionerët socialistë se nuk i numëronin votat e kësaj partie siç ishin në të vërtetë. Pas zgjedhjeve nisën të ndiheshin zërat kritikë brenda kësaj partie. Nënkryetari Thoma Miço kërkoi që Vangjel Dule të japë dorëheqjen, për shkak të humbjes së këtyre zgjedhjeve. Sakaq pritet që shumë shpejt kjo parti të mbledhë forumet e saj, kur do të bëhet një analizë mbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit.