Berisha ne bregdet, plash dhe inaugurime
Kryeministri Berisha duket se pushimet e Dhërmiut po i shfrytëzon edhe për përurime rrugësh dhe objektesh të tjera, të cilat janë ndërtuar me investime nga qeveria. Dje, ai ka përuruar rrugën Ilias-Manastiri i Shën Theodhorit dhe rrugën hyrëse në Palasë. Berisha ka premtuar se brenda 2010 do të ndërtohen të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit. "Vizioni ynë është kombi, sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve dhe, e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin, që na kanë munguar. Ndaj, tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti", është shprehur Kryeministri Berisha. Ai ka theksuar se e tërë infrastruktura e PD-së do të ketë dy qëllime themelore, tregun dhe detin. "Në këtë kontekst, të parat janë rrugët e fshatrave që zbresin në det, fillimisht të fshatrave që janë të bregdetit, më pas të fshatrave më tutje", u shpreh Berisha. "Shoh me bindje të madhe se në dy vitet e ardhshme e tërë zona e Bregut deri në Ksamil do të ketë infrastrukturë moderne europiane", theksoi Kryeministri. Kreu i qeverisë ka premtuar zhvillimin e turizmit në zonat bregdetare, duke premtuar se kjo do të realizohet duke mos betonizuar bregun. Duke u ndalur në potencialet e mëdha turistike të bregdetit të Jonit, Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë vit, Saranda është vlerësuar si një nga destinacionet turistike më të bukura e të rëndësishme në botë. Kryeministri inkurajoi të gjithë operatorët turistikë t‘ju ofrojnë pushuesve shërbime cilësore dhe me çmime të leverdisshme. "Ky është një zhvillim i madh, jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë Bregun e të gjithë Shqipërinë, sepse, gradualisht, do të zbulojë se nuk është vetëm Butrinti, por edhe Finiqi, Lukova, Himara, Dhërmiu, Palasa e me radhë. Vërtet, jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, të shndërrimit të Shqipërisë, në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Europë", u shpreh Berisha. Duke u ndalur tek opinioni i mirë që Europa po krijon për vendin tonë, Berisha theksoi se "u gëzova pa masë kur lexova në Eurostat se në hotelet dhe restorantet shqiptare, çmimet janë të leverdisshme. Ndaj, i ftoj të gjithë pronarët e restoranteve, hoteleve dhe shtëpive të kenë çmime të arsyeshme dhe të mos harrojnë se e vërteta është se, krahas peizazhit dhe ushqimit, pothuajse 95 për qind e turistëve pëlqejnë çmimet e lira. Ndaj le t‘u ofrojmë mikpritjen tonë, çmimet e arsyeshme dhe, në këtë mënyrë, fitojmë shumë më tepër". Kryeministri Berisha informoi se qeveria do të financojë projektet e zhvillimit urbanistik të Ksamilit, Sarandës, Lukovës, Himarës dhe Orikumit. Për këtë, theksoi Kryeministri, ekziston edhe masterplani i hartuar nga kompania britanike, i cili përcakton kriteret më të drejta të përdorimit të këtij terreni dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohen planet urbanistike. "Mbrojtja e bregut nga betoni, - u shpreh Kryeministri - duhet të jetë një nga qëllimet më kryesore, sepse ne duhet të ndërtojmë një turizëm ndryshe. Ne vërtet jemi të vonuar, por kemi shansin më të madh të ndërtojmë një turizëm krejtësisht tjetër nga turizmi i betonit dhe betonimeve. Nëse shkoni në Himarë do të shihni të gjitha banesat, por, përveç tyre, edhe dy pallate pa leje, të cilat e lëndojnë Himarën deri në palcë. Ato, si pa leje që janë, do të kenë fatin e ndërtimeve pa leje, por nuk besoj se do të përsëriten më". Kryeministri Berisha u ndal edhe në reformën e pronësisë, duke e konsideruar atë si kryereformën e katër viteve të ardhshme. "Ne jemi të vendosur t‘i japim zgjidhjen më të mirë këtij problemi. Kam besim se është bërë një punë shumë e madhe, ndaj edhe ritmet do të jenë më të shpejta". Gjatë vizitës në zonën e Bregut, Kryeministri Berisha përuroi edhe rrugën hyrëse në fshatin Palasë, një investim me vlerë 24 milionë lekë. Rruga e re ndihmon në zhvillimin e turizmit të zonës, duke lehtësuar lidhjen me Palasën dhe lëvizjen e banorëve të saj dhe vizitorëve. Në përfundim të takimeve me banorë dhe të disa përurimeve të rëndësishme në zonën e Bregut, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për këtë vizitë, i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e angazhimet e qeverisë nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor.