E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, shqetësim serioz edhe në Kosovë

Rritet numri i vetëvrasjeve në Kosovë. Këtë e tregojnë të dhënat statistikore të raportit gjashtëmujor të Policisë së Kosovës për gjysmën e parë të vitit 2009, të cilat duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2008, ka një shtim të numrit të vetëvrasjeve. Sipas këtij krahasimi, nëse gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë shënuar diku te rreth 37 raste të vetëvrasjeve, në periudhën e njëjtë të vitit paraardhës kanë qenë 32 raste. Por të dhënat hedhin dritë edhe mbi rajonet më të rrezikuara nga shtimi i kësaj dukurie, duke pohuar se në rajonin e Pejës shënohen edhe vetëvrasjet më të shumta, ndërsa në vitin paraardhës, në periudhën e njëjtë kohore, rajoni i Mitrovicës ka qenë ai i cili ka prirë me numrin më të madh të rasteve të vetëvrasjeve. Psikiatri Ferid Agani tha për mediat kosovare, lidhur me një fakt të tillë, se femrat janë ato që bëjnë tentim vetëvrasjeje tri deri në katër herë më shumë se sa meshkujt. Duke thënë se motivet e vetëvrasjes janë të ndryshme, meqë shkaqet janë mjaft komplekse. Psikiatri Agani thekson se disa nga shkaktarët që çojnë deri te kryerja e kësaj vepre janë shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e perspektivës, ndjenja se jeta në njëfarë mënyre nuk ka kuptim, veçanërisht në mesin e të rinjve. Vetëvrasjet janë një problem edhe më shqetësues në Shqipëri, ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti llogaritet të jenë vetëvrarë rreth 100 veta. Në vitin 2008, në Shqipëri vranë veten më shumë se 330 persona, prej të cilëve më shumë se 100 ishin nga rajoni i Fierit. Duke llogaritur numrin e vetëvrasjeve në bazë të numrit të banorëve, në Shqipëri treguesi është rreth tri herë më i lartë se në Kosovë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›