Zgjedhjet, ku gaboi Kolegji
Kolegji Zgjedhor ka shkelur rëndë ligjin dhe ka krijuar një precedent për procesin e zgjedhjeve. Këtë herë, akuza vjen nga nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, e cila komentoi dje të drejtën e dy anëtarëve për të kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave. Në vendimet e Kolegjit Zgjedhor me Beratin, Tiranën dhe Shkodrën u rrëzua ankimimi i partive që kundërshtonin vendimin e KQZ për të rrëzuar kërkesën e dy anëtarëve për rinumërim dhe rivlerësim të votave sipas nenit 138 të ligjit zgjedhor. "Gjykata nuk e bëri dhe kjo përbën për mua një shkelje të hapur të ligjit. Natyrisht, ne nuk komentojmë vendimin e gjykatës, por komentoj të drejtën time që është shkelur hapur. Unë kisha të drejtën për të kërkuar rinumërimin e disa qendrave votimi për të cilat unë kisha një objeksion dhe qëllimi ishte që të arrinim në një standard që zgjedhjet të mos kontestoheshin. Në vetvete, kjo dispozitë nuk e ndryshon rezultatin zgjedhor. Në vetvete, kjo dispozitë është për të hetuar", tha Subashi. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve komentoi dhe vendimin e shumëpërfolur 7 me 0 të shpalljes së rezultateve përfundimtare. Subashi u shpreh se gjithçka është bazuar te Kodi Zgjedhor dhe se nuk mund t‘i jepet një natyre politike këtij vendimi. Njëkohësisht, ajo kundërshtoi zërat që kritikuan votimin 7 me 0 në KQZ, duke e argumentuar si humbje nga ana e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision. "Në mbylljen e vendimmarrjes për këto ankime që kishin të bënin me rezultatin zgjedhor, vendime të cilat i ka shqyrtuar dhe Kolegji Zgjedhor pothuajse konsiderohet, sipas Kodit Zgjedhor, çështje e mbyllur vlefshmëria, llogaritja e votave të marra nga çdo subjekt politik", theksoi Subashi. Njëkohësisht, ajo shpjegoi se kundërshtimi i tabelave të rezultateve nga Komisioni Zgjedhor i Administrimit të Zgjedhjeve është e drejtë që u lind komisionerëve sa herë konstatojnë parregullsi, por nga ana tjetër, ndarja e mandateve të deputetëve është një detyrë që lind nga Kodi Zgjedhor, në emër të të cilit, Subashi dhe Lazaj iu bashkuan qëndrimit të shumicës në KQZ. "Vendimmarrja e anëtarëve të KQZ-së, për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve nuk mund t‘i referohet bindjes. Për shkak se unë kisha një kontest për tabelën e rezultateve, nuk do të thotë të mos votoj ndarjen e mandateve. Ligji e ndalon këtë sjellje, që do ishte një sjellje politike dhe do ta kthente këtë institucion në një vendimmarrje politike, ndërkohë që unë kam detyrimin ligjor që në vendimmarrje t‘i bazohem vetëm Kodit Zgjedhor". Sakaq, Subashi komentoi dhe idenë e hedhur së fundmi për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Duke qenë pjesë e këtij institucioni për shumë procese zgjedhore, Subashi vlerësoi se është kthyer në një modë ndryshimi i ligjit zgjedhor, ndërkohë që sipas saj, synimi duhet të jetë që të krijojë standarde afatgjata. Që prej vitit 2000 në 6 proceset zgjedhore me të cilat është përballur vendi ynë, si ato lokale, dhe ato parlamentare, sipas Dëshira Subashit, asnjëherë nuk është përdorur i njëjti ligj elektoral. Si tekniciene, numri 2 i institucionit që administron zgjedhjet, është i nxituar ndryshimi i kodit para se të analizohet humbja. "Kjo tashmë është bërë në modën e politikës, që sapo shpallet rezultati përfundimtar nxitohet për të thënë që do ndryshojmë Kodin. Partitë politike të kishin kohën e nevojshme të bënin analizat e funksionimit të zgjedhjeve. Më duket pak e nxituar, ndoshta emocionale, të diskutosh për ndryshime të Kodit ku nuk ka vetëm pak ditë kur kanë përfunduar këto zgjedhje", tha Subashi. Nënkryetarja e KQZ-së hedh idenë e një kodi të qëndrueshëm, nëpërmjet të cilit të konkretizohen standardet aq shumë të kërkuara.
Neni 138, vendimmarrja nga KQZ në Kolegjin Zgjedhor
Neni 138 i Kodit Zgjedhor pika tre e tij u kthye në një çështje debati mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimmarrja e të cilit më pas kaloi për shqyrtim edhe në Kolegjin Zgjedhor. Për herë të parë, dy anëtarë të Komisionit Qendror, gjatë shqyrtimit të kërkesës ankimore të dy partive, Partisë Socialiste dhe G99 për Qarkun e Beratit, duke parë se nuk mund ta detyronin dot pjesën tjetër të anëtarëve të pranonin kërkesën, iu drejtuan pikërisht këtij neni, ku thuhet se dy anëtarë të KQZ mund të kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave dhe në këtë rast, KQZ ndërpret shqyrtimin dhe i vë në dispozicion gjithë materialin dy anëtarëve. Kjo kërkesë e cila u përsërit dhe në ankimimet e tjera u rrëzua në KQZ. Shumica në këtë institucion argumentoi se kërkesa përcakton që dy anëtarë mund ta bëjnë këtë kërkesë për vota të caktuara dhe jo për një qark të tërë. Vendimi i KQZ për mos marrë parasysh kërkesën e dy anëtarëve shkoi për gjykim në Gjykatën e Apelit, ku një grup gjyqtarësh përbënin atë që quhej Kolegji Zgjedhor. Në rastin e Beratit, PS ankimoi pikërisht këtë vendim të KQZ-së, duke konsideruar se KQZ ka shkulur ligjin dhe në momentin që është bërë kërkesa duhet të ndërpriste mbledhjen dhe të vinte në dispozicion materialet që kërkonin. Sipas përfaqësuesve juridikë, ky nen është përcaktuar posaçërisht në mënyrë që pakica në KQZ të mos jetë përherë pre e vendimeve të shumicës. Kolegji pranoi vendimet e KQZ për këtë rast duke mbyllur çështjet ankimore.