Berisha në dilemë mes Bumçit dhe Bojaxhiut për kreun e PD-së së Tiranës
Eljona Ballhysa
Burimet pranë Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë cituar së fundi emrin e Aldo Bumçit për postin e kryetarit të degës së PD-së në Tiranë. Sipas tyre, kryeministri Berisha duket se është në dilemë midis kandidimit të mundshëm të Aldo Bumçit ose të Gjergj Bojaxhiut. Por ky fakt konfirmohet dhe nga daljet e fundit publike të deputetit të Lezhës, i cili është angazhuar në një sërë emisionesh televizive apo dhe në konferenca shtypi duke u kthyer në një zëdhënës faktik të PD-së. Duke u nisur dhe nga historia, kryeministri Berisha gjithmonë ka promovuar publikisht figura politike të cilëve më vonë u ka ofruar poste drejtuese. Aq më tepër që Berisha ka vënë në krye të strukturave të PD-së njerëz të afërt, besnikë të tij dhe jo individë me ambicie të spikatura karrieriste. Duket se Bumçi aktualisht po përgatitet nga kryetari i partisë së tij për t’u futur në garën për karrigen e kryetarit të PD-së së Tiranës.
Gara
Por, nga ana tjetër, qëndron dhe figura e Gjergj Bojaxhiut. Edhe ky si Bumçi është përfshirë në strukturat e PD-së, si anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Ndërsa njihet si ish-zëvendësministër i Energjetikës dhe që aktualisht mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it. Kryesisht Bojaxhi ka mbajtur funksione menaxhuese, jo me natyrë politike. Pra është një figurë e pakonsumuar politikisht, ndryshe nga Bumçi, i cili është deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe për gati një vit mbajti postin e ministrit të Drejtësisë. Pikërisht midis këtyre dy kandidaturave pritet të vendoset se kush do të jetë rivali i kandidatit të vetëshpallur Besnik Mustafaj për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Ndërkohë që Mustafaj prej kohësh ka nisur të përgatisë strategjinë e tij për të fituar këtë garë, dy figurat e lartpërmendura ende nuk e kanë të qartë nëse do të jenë pjesë e garës, ose jo. Megjithatë, deri tani një gjë është e qartë, që gara në PD ende nuk ka nisur.
Zgjedhjet
Me gjithë deklaratat publike për fillimin e një fushate zgjedhore brenda selisë blu, duket se ende kjo parti po heziton të nisë një fushatë konkrete. Nga njëra anë drejtuesit e partisë bëjnë të ditur për fillimin e punës për riorganizimin e strukturave të partisë në rrethe, nga ana tjetër kandidatët për kryetarë ende mendojnë se gara nuk ka filluar, madje janë të paqartë për rregullat e garës. Vetëm pak kohë më parë Kryesia qendrore e Partisë Demokratike zhvilloi një mbledhje në të cilën miratoi disa ndryshime në statutin e partisë. Kryesia vendosi shkrirjen e nëndegëve të partisë në rrethe dhe riorganizimin e strukturave në bazë të seksioneve, grupseksioneve, degëve dhe qarqeve. Shkrirja e nëndegëve, shmang zhvillimin e zgjedhjeve në bazë të parimit “një anëtar, një votë” dhe rikthen variantin e vjetër të zgjedhjes së kryetarëve të degëve. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grupseksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit pas diskutimesh dhe verifikimesh i dërgon sërish grupseksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grupseksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga Kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “luftë” kandidaturash, për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet.
16 Tetor 2008