E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi zhvillon takime të nivelit të lartë në Itali



Në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit dje në mesditë nga kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano. Gjatë takimi, kreu i shtetit shqiptar shprehu vlerësime maksimale për marrëdhëniet e tanishme me Italinë dhe për nivelin e shkëlqyer të tyre duke vënë në pah edhe rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, që dëshmojnë në vazhdimësi për vullnetin e të konsoliduar politik të rritjes dhe forcimit të tyre. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen edhe për kujdesin e treguar nga qeveria italiane dhe nga pushteti vendor në Romë për mbështetjen që ajo u ka dhënë dhe u jep emigrantëve shqiptarë për integrimin e tyre në jetën social-ekonomike italiane. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano, theksoi nevojën për rritjen e mëtejshme të vizitave të tilla të një niveli kaq të lartë. Po gjatë paradites së djeshme presidenti Topi zhvilloi një takim me kreun e koalicionit të së majtës italiane, me sekretarin kombëtar të Partisë Demokratike, Valter Veltroni. Në takim u diskutua edhe për krizën financiare globale si dhe efektet që ajo mund të sjellë për ekonomitë e vendeve tona. Presidenti Topi vuri në pah klimën e mirë ekonomike në Shqipëri dhe kushtet e favorshme që ajo ofron për investitorët e huaj dhe sidomos ata italianë.

Spanja ratifikon Protokollin e anëtarësimit në NATO

Komisioni i Jashtëm i Kongresit të deputetëve të Spanjës miratoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky miratim u realizua gjatë vizitës zyrtare të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Spanjë, me ftesë të presidentit të Senatit, Francisco Javier Rojo. “Senati i Spanjës do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit në NATO sa më shpejt të jetë e mundur”. Kjo iu konfirmua kryetares së Kuvendit nga presidenti i Senatit spanjoll, Javier Rojo, në pritjen e përzemërt të rezervuar për delegacionin parlamentar shqiptar. Pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi, Javier Rojo tha se kjo vizitë e këtij niveli të lartë hap një kapitull të ri dhe do të nxisë linja të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke shërbyer si një bazë e fortë për dinamizmin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›