E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj në Gërdec: “Qeveria, vrasëse e dyfishtë”



Në 7-mujorin e tragjedisë së Gërdecit, përfaqësues të G99-s vizituan dje familjet e disa prej viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi kriminale. Gjatë takimeve me banorët, kryetari i G99-s, Erion Veliaj, fajësoi qeverinë, duke e cilësuar atë si vrasëse të dyfishtë. “Ashtu sikundër në Romën e lashtë thuhej përherë ‘Kujtoni Kartagjenën!’ ashtu dhe shqiptarët do të thonë ‘mbani mend sa të jetë jeta Gërdecin’! As deputetin e zonës dhe as kryeministrin nuk mund ta sjellim këtu me zor. Fajtorët ende nuk janë ndëshkuar. Zona ende nuk është pastruar dhe nuk është e sigurt dhe e banueshme. Drejtësia nuk është vënë në vend”.
Veliaj kritikoi ashpër deputetin e zonës, Astrit Patozi, për indiferencë ndaj halleve të këtij komuniteti. “Dëgjojmë çdo ditë deputetin dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke akuzuar shqiptarët për një arsye apo një tjetër, por asnjëherë nuk e shohim të vizitojë një familje në Gërdec që ka nevojë për ndihmë. Ka shumë të drejtë zoti Patozi të kërkojë hetim ndërkombëtar për çfarëdolloj hobi të tij, por ama është detyrimi i tij të kërkojë vënien në vend të drejtësisë për ata që me votat dhe besimin e tyre e kanë sjellë në pushtet”, - tha Veliaj.

Ekspertët kundërshtojnë propozimin e Berishës për hetim ndërkombëtar

Spiro Peçi, ish-ministër i Drejtësisë dhe aktualisht deputet i pavarur, si dhe juristi Genti Ibrahimi, kundërshtojnë propozimet e kryeministrit Berisha për hetimin ndërkombëtar dhe për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen “Fazlliç”. Deputeti Peçi e ka cilësuar absurde dhe të pakuptimtë propozimin e Berishës për realizimin e një hetimi ndërkombëtar për çështjen “Fazlliç”. Ai tha se qeveria nuk mund t’i imponohet Prokurorisë me vendimet e saj. “Hetim ndërkombëtar nuk mund të ketë. Në qoftë se kryeministri ka parasysh që t’i kërkojë Prokurorisë që ajo të thërrasë ekspertë ndërkombëtarë për të sqaruar momente të caktuara në hetimin e një çështjeje, është një tjetër problem. Çdo vendim që mund të marrë qeveria, çdo kërkesë që mund të bëjë qeveria, janë të pavlefshme, nuk kanë asnjë efekt detyrues për organin e Prokurorisë”, - tha Peçi. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe eksperti Genti Ibrahimi, i cili e cilësoi të turpshme propozimin e kryeministrit Berisha. “Kuvendi nuk mund të krijojë një komision hetimor për të hetojë çështjen “Fazlliç”. Kjo kishte për të qenë jo vetëm një gjë që nuk qëndron nga pikëpamja procedurale, por kishte për të qenë edhe një turp për Shqipërinë. Që të investohet Kuvendi i Shqipërisë për të investiguar një keqbërës të zakonshëm, kjo nuk mund të qëndrojë”, - tha Ibrahimi.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›