E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta nis fushatën e prezantimeve, Nasip Naço, kandidat i LSI-së në Skrapar



Shaban Sulçe

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka nisur prezantimin e kandidaturave të LSI-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Meta ka prezantuar kandidaturën e Nasip Naços, i cili do të jetë kandidati i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në rrethin e Skraparit. Kryetari i LSI-së shprehu bindjen për një fitore bindëse të LSI-së në zgjedhjet e 2009-s jo vetëm në Skrapar, por në të gjithë Shqipërinë. Sipas Metës kjo fitore do të jetë shumë e rëndësishme për ta larguar njëherë e përgjithmonë kryeministrin Sali Berisha, i cili e ka zhytur vendin në trafiqe dhe afera kriminale.
Kandidatura
Duke prezantuar kandidaturën e Nasip Naços, Meta shprehu bindjen dhe besimin e plotë për mbështetjen që ai do të marrë në zgjedhjet e ardhshme nga elektorati i rrethit të Skraparit. Kryetari i LSI-së shprehu gjithashtu besimin për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga LSI-ja. Rritja e kësaj force politike në të gjithë Shqipërinë dhe sistemi aktual zgjedhor do të jenë sipas Metës, arsyet që do të mundësojnë fitoren në zgjedhjet e 2009-s. “Unë jam i bindur që Skrapari ka shumë arsye të votojë për LSI-në, ka shumë arsye të votojë edhe për Nasipin, pasi Skrapari do të votojë për një forcë politike që e do dhe që e ndjen popullin e Skraparit, si askush tjetër, për një forcë politike, që pa dyshim po pushton të gjithë Shqipërinë, por në radhë të parë kryeqytetin tonë, Tiranën. Këtë herë, e gjithë Shqipëria do të përqafojë alternativën tonë dhe ne këtë e shohim kudo. Sistemi i ri, pavarësisht nga disa vështirësi dhe disa probleme që ka, është një sistem shumë i favorshëm për ne. Është sistemi që më shumë se çdo parti tjetër favorizon LSI-në në kushtet aktuale”.
Berisha
Meta theksoi se fitorja e LSI-së dhe qeverisja e saj do të jetë shumë e rëndësishme për të ndalur shkatërrimin e vendi nga gangsterizmi i Sali Berishës dhe i Fazlliçëve, si dhe për t’i dhënë fund varfërisë që ka pushtuar Shqipërinë. Meta preku edhe çështjen delikate të sulmeve të qeverisë ndaj institucionit të pavarur të Prokurorisë. “Saliu do ligj për Prokurorinë, sepse do t'i terrorizojë prokurorët, që ata të mos të nxjerrin as të vërtetat e Gërdecit, as të rrugës ‘Durrës-Kukës’, as këtë të pastrimit të parave, që ka lidhje me Fazlliçin. Unë po ju them që nga të gjitha këto që ka bërë Edi Rama në raport me Saliun, përsa i takon Kushtetutës, Rregullores për Presidentin e të gjitha më radhë, ka fituar Saliu, ndërsa përfitimi që ka marrë Edi Rama nga ky bashkëpunim i fëlliqur ka qenë për ca biznese të lidhura me të”, - tha Meta.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›