E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Berisha të mos pengojë hetimet e Prokurorisë”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga avokatia që po i bën të akuzuarit Fazlliç. Braçe tha se Berisha duhet të tërhiqet nga sulmi dhe bllokimi që po i bën institucionit të pavarur të Prokurorisë. “Berisha, si në rolin e babait, ashtu dhe në rolin e kryeministrit, duhet të heqë dorë nga shndërrimi apo kthimi i qeverisë së tij në një studio legale në mbrojtje të Damir Fazlliçit, ku mund të urdhërojë agjencitë e zbatimit të ligjit të pengojnë hetimet e nisura tashmë nga prokuroria. Zyrat e regjistrimit të pasurive dhe natyrisht zyrat e tatim taksave, në zbatim të urdhrit të Berishës, po refuzojnë t’i përgjigjen prokurorisë, por njëherësh duhet të dinë se po konsumojnë veprën penale të pengimit të drejtësisë, vepër penale që ndëshkohet rëndë. Natyrisht, ne do vazhdojmë ta mbështesim prokurorinë në veprimin e saj ligjor për të hetuar në fund këtë çështje, por dhe të kërkojmë prej saj tanimë rezultate konkrete të hetimit për çështjen “Fazlliç” dhe për hetimin e krimit shtetëror të Gërdecit. Dua të shpreh vlerësimin për hapin e hedhur dje veçanërisht në hetimet e krimit shtetëror të Gërdecit në identifikimin e një personazhi kyç për tregtinë e armëve nga Shqipëria, Henri Tomei”, - tha Braçe.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›