E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj kritikon qeverinë: “Konflikti me Prokurorinë, joproduktiv”

Deputeti demokrat i drejtohet Berishës: “Ta lexojë drejt mesazhin e ndërkombëtarëve”. “Presidenti Topi të ushtrojë kompetencat për qetësimin e situatës”

Eljona Ballhysa
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka reaguar dje për konfliktin e fundit midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë një deklarate për mediat, Mustafaj e ka kritikuar këtë konflikt, të cilin e ka cilësuar joproduktiv, si dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që ta lexojë drejt mesazhin e ndërkombëtarëve. Mustafaj gjithashtu i ka bërë thirrje dhe kreut të shtetit, presidentit Topi, që të reagojë dhe të qetësojë situatën, duke i garantuar pavarësinë e plotë Prokurorisë së Përgjithshme. Po kështu, Mustafaj ka kërkuar që Partia Demokratike të distancohet nga ky konflikt, pasi sipas tij, të tilla duele absurde nuk sjellin fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Thirrja
“Konflikti i fundit midis qeverisë dhe Prokurorisë është një ngjarje shumë e rëndë, e cila duhet analizuar me kujdesin më të madh, si nga klasa jonë politike në përgjithësi, ashtu dhe nga trupa jonë juridike. Është një duel absurd, një duel i cili nuk do të ketë të fituar, përkundrazi, humbësi më i madh është shteti. Dhe ky shteti ynë, edhe pa tensione të tilla, është përsëri shumë i brishtë dhe shumë i kërcënuar në rrugën e tij drejt plotësimit të standardeve të demokracisë”, - është shprehur Mustafaj. Më tej ai theksoi se PD-ja nuk duhet të harxhojë energji duke u marrë me një debat të tillë. “Partia Demokratike, si themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, është një parti që nuk mund të harxhojë, në një duel të tillë absurd, as energji dhe as imazh, po të kemi parasysh se ne jemi përpara zgjedhjeve dhe këto zgjedhje PD-ja duhet t’i fitojë. PD-ja nuk mund të ndjehet e qetë kur ndien shqetësimin e madh që ka ngjallur ky konflikt, qoftë në opinionin publik shqiptar, qoftë dhe në opinionin ndërkombëtar, veçanërisht te miqtë e mëdhenj të Shqipërisë që janë SHBA-të dhe BE-ja”, - është shprehur Mustafaj. Ai, duke përfituar nga rasti, u dha një mesazh ndërkombëtarëve duke theksuar se “askush dhe asgjë nuk do të mund t’i pengojë reformat e domosdoshme në të cilat është angazhuar Shqipëria, për ta modernizuar vendin tonë dhe për ta integruar vendin në NATO dhe në BE”. Duke qëndruar në këtë kuadër, Mustafaj i bëri thirrje kryeministrit Berisha që ta lexojë siç duhet mesazhin e ndërkombëtarëve. “Unë kam besim se kryeministri Berisha, si një politikan me përvojë të gjatë, do ta lexojë me vëmendje dhe me dashamirësinë e nevojshme atë mesazh që vjen qoftë nga Uashingtoni, qoftë nga Brukseli”, - ka theksuar ish-ministri i Punëve të Jashtme.
Presidenti
Gjatë fjalës së tij Mustafaj i bëri thirrje në veçanti Presidentit të Republikës, që të reagojë duke qetësuar situatën e krijuar midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “Përfitoj nga ky rast t’i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit të Republikës, i cili si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese për qetësimin e situatës, si dhe për t’i siguruar prokurorisë, qoftë pavarësinë e plotë, ashtu sikurse ia siguron Kushtetuta për ushtrimin e kompetencave të saj, por dhe për t’i ushtruar dhe kontrollin e nevojshëm që edhe Prokuroria të bëjë punën e saj me paanësi”, -është shprehur Mustafaj.
Reagimi i deputetit të PD-së, Mustafaj, i cili njihet si një zë kritik ndaj qeverisë, ka ardhur vetëm një ditë pas kritikave të ambasadorëve të BE-së në Tiranë si dhe nga Ambasada e SHBA-ve. Ambasadorët e BE-së i bënë thirrje qeverisë që t’i japë fund konfliktit me institucionet e pavarura dhe të respektojë parimet kushtetuese të mirëqeverisjes.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›