E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi për Demokraci dhe Etikë propozon një formulë të re për komisionet zgjedhore



Forumi për Demokraci dhe Etikë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka propozuar dje
një formulë të re për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Ky forum ka propozuar thirrjen nga Presidenti i Republikës e një tryeze dialogu midis të gjitha partive parlamentare shqiptare dhe pezullimin e miratimit të Kodit Zgjedhor deri në arritjen e një konsensusi. Sipas formulës së propozuar nga ky forum, “të gjitha partitë politike dhe koalicionet që kanë arritur të marrin mbi 3% në zgjedhjet e fundit parlamentare, të propozojnë për çdo qark listën e tyre me kandidatë të mundshëm për anëtarë të KZZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Pranë gjykatave të rretheve apo qarqeve të instalohet infrastruktura kompjuterike me anë të së cilës të realizohet shorti i përzgjedhjes së anëtarëve të KZZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit”. Më tej, sipas propozimit të FDE-së, “anëtarët e KZZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, të përzgjedhur nga ky short i rastësishëm i realizuar në ambientet e gjykatave, të bëhen automatikisht pjesë e Shërbimit Zgjedhor Shqiptar dhe si rrjedhim, të marrin një status të posaçëm të depolitizuar në kryerjen e kësaj detyre”. Sipas FDE-së, Shërbimi Zgjedhor Shqiptar fut drejt zgjidhjes përfundimtare procesin zgjedhor në Shqipëri dhe realizimin e të gjitha standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat janë njëkohësisht kriter themelor i BE-së. Ky forum gjithashtu propozon forcimin e sanksioneve ligjore për ata që cenojnë procesin zgjedhor dhe tentojnë të deformojnë, apo të prekin votat e qytetarëve. Sanksionet më të forta duhet të jenë pikërisht për anëtarët e përzgjedhur të KZZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, të cilët ditën e përzgjedhjes duhet të firmosin Kodin e Etikes dhe shërbimit ndaj votës.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›