Berisha, në veri për bllokimin nga dëbora
Reshjet e dendura në veri dhe verilindje të vendit kanë çuar kryeministrin Berisha në qytetin e Kukësit dhe të Peshkopisë. Shefi i qeverisë në një komunikim me banorë të Kukësit, i përgëzoi ata për punën e deritanishme në përballimin e situatës dimërore. Kryeministri u kërkoi strukturave shtetërore që "të jenë të mobilizuara për të përballuar situatat që mund të paraqiten. Ai garantoi se Shtabi Qendror i Emergjencave Civile do t'i mbështesë me fonde shtesë për shpenzimet që po kryhen gjatë kësaj periudhe, duke u kërkuar mbajtjen e gjendjes së emergjencës.Por, në këtë vit elektoral kryeministri nuk la pa sulmuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama i cili vetëm pak kohë më parë vizitoi këto dy qytete. Kryeministri tha që Edi Rama të vijë në këtë zonë e të mësojë si mbahen shkollat e të mos tregojë se ka fjetur një natë në Kala të Dodës. Në këtë vizitë kryeministri shoqërohej nga drejtuesit vendorë të Kukësit ku merrnin pjesë dhe deputetët e kësaj zone, Jemin Gjana e Fatos Hoxha.