E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Falas kartat e identitetit atyre që s'munden të paguajnë

/>Petrit Vasili kundër urdhrit të Qeverisë për të ndëshkuar ata që nuk aplikojnë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili në një deklaratë për shtyp ka shprehur në emër të LSI-së se, LSI kërkon që disa kategori të marrin falas kartat e identitetit dhe jo ti paguajnë ato. Më tej ai tha se, sipas deklarimeve të kryeministrit Berisha me dt.12, duhet të filloj procesi i pajisjes së qytetareve me karta identiteti. Ky proces është shumë i rëndësishëm veçanërisht për realizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri brenda standardeve. LSI është e shqetësuar për popullin shqiptar, -shprehu Vasili; për arsye të varfërisë së skajshme, varfëri e cila është  thelluar në mënyre të frikshme në vitet e qeverisjes së Berishës për mjaft qytetarë shqiptarë, pajisja me to do të jetë e pamundur. Për të kapërcyer këtë problem shumë të rëndësishëm në momentin dhe në kohën e duhur, i kërkojmë qeverisë që në mënyrë të menjëhershme të marri masa dhe të pajisë pa pagesë pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat
Gjithashtu ai tha se, qeveria, duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohet që rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra, të përjashtohen nga procesi i votimit. Ky investim i qeverisë në këtë moment,-cilësoi Vasili, është i domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen, sepse sot ai do të garantonte standardet e zgjedhjeve, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në to dhe është shume i rëndësishëm për të nesërmen, ku në një Shqipëri normale, qytetarët që punojnë dhe paguajnë taksat do të garantonin të ardhurat mjaft të larta për shtetin, të ardhura që do të kalonin shumë e shumë herë këtë investim të vogël që shteti sot do të bënte për ta, përfundoi Vasili.
Debati për rritjen ekonomike
Më tej Vasili iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me debatet për rritjen ekonomike ndërmjet Ministrit të Financave Bode dhe Kryeministrit Berisha ditët e fundit, duke thënë se, dhe ne si LSI e kemi përcjell debatin midis Ministrit të Financave z. Bode dhe Kryeministrit Berisha, mendoj se qëndrimi ynë lidhur me këtë debat kalon në tre linja kryesore : "Nga pikëpamja politike kemi të bëjmë me një debat midis dy njerëzve që kanë përgjegjësi të rëndësishme politike dhe shtetërore.  Debati i tyre në dukje i papërgjegjshëm ka një ndikim me disa miliarda euro në ekonominë shqiptare. Si një debat midis Kryeministrit dhe ministrit që administron financat , dhe mendimet e ndryshme të tyre, i ngarkojnë ata me përgjegjësi të rënda në ushtrimin e papërgjegjshëm të detyrave të larta shtetërore. Pra, praktikisht këta dy personave kanë humbur kredibilitetin e tyre politik , dhe duke menduar se janë të njëjtët aktorë të cilët janë shprehur po me të njëjtën papërgjegjshmëri edhe në 1996 lidhur me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e financave shqiptare dhe më tej ndodhi kolapsi tragjik i 1996, dhe mendoj që pozicioni i tyre politik është cenuar rëndë dhe duhet riparë"-tha Petrit Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›