E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngjit 1500 shkallë të murit kinez

Gjatë vizitës në Kinë, Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi rastin të ngjitet në murin e madh kinez Badaling. Pjesa më strategjike e murit mijëravjeçar të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme. E mbiquajtur edhe "çelësi i portës veriore të Pekinit", ajo është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës. Kryeministri Berisha ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti dhe nga autoritetet lokale iu akordua një certifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit. Pyetjes së gazetarëve, Kryeministri iu përgjigj se "ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet". Kryeministri e paralelizoi ngjitjen e murit kinez si një ngjitje elektorale. "Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se e çdo Kryeministri tjetër që e ka vizituar. Iu përgjigja se kjo është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare", tha Berisha. Lidhur me takimet zyrtare, Kryeministri Sali Berisha, në vizitën e tij zyrtare në Kinë, është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti Hu Jintao, ku ka biseduar me të rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri e njohu Presidentin e Kinës me vlerësimet e tij për pjesëmarrjen në forumin e BOAO-s, duke e konsideruar atë një nga forumet më të rëndësishme ekonomike botërore. Kryeministri tha se e dëgjoi me kënaqësi planin konkret të Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, Uen Jiabao, dhe qeverisë kineze për daljen nga kriza ekonomike planetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›