E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ngre flamurin e NATO në Tiranë

Ceremonia simbolike e ngritjes së flamurit shqiptar së bashku me vendet anëtarëve të NATO-s, është zhvendosur nga Brukseli në Tiranë. Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e kryeministrisë është organizuar nga shefi i qeverisë, Berisha ku ishin të pranishëm të gjithë ministrat e kabinetit. Gjatë fjalës përshëndetëse, kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë për konsolidimin e mëtejshëm të vlerave të Aleancës. "Le të zotohemi, se për t'iu përgjigjur kërkesave të saj ne do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim e programojmë çdo reformë që ne shqiptarët të ndihemi gjithnjë në lartësinë e flamurit tonë kombëtar dhe të flamurit të NATO-s, që është flamuri i lirisë. Le të zotohemi që qeveria dhe shoqëria shqiptare, shqiptarët kudo që janë, do të konsolidojmë me vendosmëri vlerat e mëdha që Aleanca ka mbrojtur, parimet e mëdha mbi të cilat ajo është ndërtuar. Në këtë kontekst, ne, qytetarët shqiptarë, por edhe të të gjitha diktaturave të tjera ish komuniste, i detyrojmë shembjen e sistemit, çlirimin nga barbaritë e tij, Aleancës së Atlantikut të Veriut, është shprehur kreu i qeverisë. Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen më të thellë për të gjitha vendet dhe institucionet ndërkombëtare, veçanërisht për qeverinë dhe presidentin e SHBA, që me bujarinë e tyre bënë të mundur valëvitjen krenar të flamurit shqiptar në Bruksel dhe flamurit të Aleancës në Tiranë. Një përshëndetje të veçantë kreu i qeverisë shqiptare i drejtoi ushtarakëve tanë në misionet paqeruajtëse nëpër botë, duke i vlerësuar si misionarë të paqes, integrimit dhe ambasadorë të përfaqësimit të kombit tonë. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij me këtë rast, kryeministri Berisha u zotua edhe njëherë se vendi ynë do të vazhdojë të ecë me të njëjtat hapa drejt BE, ritëm i cili sipas tij bëri që në më pak se 4 vjet, të përmbyllej anëtarësimi në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›