E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Berisha nuk merr parasysh krizën, i trembet fushatës zgjedhore

Kryetari i PDS, Paskal Milo ka reaguar ndaj deklaratës së FMN, duke theksuar se qeveria duhet të reflektojë për këtë të ardhme të zymtë që po e pret ekonominë shqiptare. Berisha është në hall të madh se po fillon fushata elektorale dhe ai nuk mund të pranoj sugjerimet e FMN. Kërkon ti mashtroj edhe njëherë tjetër shqiptarët me arsenalin e tij të vjetër komunist të premtimeve boshe, u shpreh Milo, duke shtuar se po me këtë logjikë mashtrimi u premtoi romëve karta identiteti falas. Kërkon të krijoj përshtypjen e rreme se po plotëson kërkesën e opozitës.  Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar përfundimisht rrëzoi për tokë kështjellën e premtimeve të Qeverisë për rritje dyshifrore ekonomike në vitin 2009. Me seriozitetin dhe përgjegjësinë që e karakterizon këtë institucion financiar ndërkombëtar, vlerësoi Milo, u deklarua se rritja ekonomike do të jetë 0-1 %. Këtë situatë, Milo e ka krahasuar me gjendjen katastrofale të vitit 1991 në Shqipëri. Milo solli në vëmendje se FMN sugjeron që të mos ngrihen as pagat dhe as pensionet. Ne të opozitës shqiptare kjo gjë nuk na surprizon, përkundrazi ne e kemi parashikuar dhe kemi qenë realist me opinionin publik shqiptar e kemi paralajmëruar se kriza do të reflektoj edhe në Shqipëri, tha Milo, duke shtuar se ajo tashmë është e pranishme në Shqipëri, efektet e saj janë të dukshme, por Berisha dhe qeveria e tij nuk i kanë pranuar në mënyrë të qëllimshme, sepse kanë dashur ti mbajnë shqiptarët në errësirë në mënyrë të qëllimshme tani që po afron fushata zgjedhore. Sipas Milos, ministri i Financave me porosi të shefit të vetë, nxitoi të kundërshtoj deklaratat dhe sugjerimet e FMN, duke na kujtuar sjelljen politike të regjimit komunist në fund të viteve 80-të, kur Qeveria e tollonave përpiqej të fshihte krizën e thellë duke u servirur shqiptarëve lugën bosh në emër të socializimit specifik shqiptar. Berisha duhet ti jap fund lojës mashtruese. Ne  i  kundërshtojmë këto veprime demagogjike të tij dhe i bëjmë thirrje të reflektoj seriozisht pa qenë vonë, sepse po vihen në rrezik serioz zgjedhjet, u shpreh Milo. Ai deklaroi se opozita shqiptare nuk mund të pranoj në kushte të tilla në zgjedhje në rast se nuk do të ketë infrastrukturën e duhur, në rast se nuk do të ketë transparencë në shpërndarjen e kartave të identitetit, në rast se nuk do të garantohen vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lidhur me faktin më të fundit të dalë për bashkëpunimin e Fahri Balliut me Delijorgjin, Milo tha se Gërdeci është një krater shumë i thellë me shpërthime të vonuara. Delijorgji ka qenë një nga njerëzit që ka filtruar edhe brenda rrethit të ngushtë të kryeministrit Berisha, gjë që demaskon dhe provon edhe njëherë tjetër, ato çka ne kemi deklaruar si opozitë, që tragjedia e Gërdecit është e lidhur ngushtë me rrethin kryeministror, tha Milo, duke shtuar se koha po provon ato që ne kemi deklaruar që ditën e parë në parlamentin e Shqipërisë, por edhe më vonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›