E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Qeveria neglizhon krizën ekonomike, shpenzime marramendëse për fushatën elektorale

Lëvizja Socialiste për Integrim jep alarmin e krizës ekonomike. Duke iu referuar vlerësimit më të fundit që bëri Fondi Monetar Ndërkombëtar se për këtë vit parashikohet një rritje ekonomike nga 0 deri në 1 për qind, lideri Meta kërkoi që Parlamenti të diskutojë urgjentisht një Plan Kombëtar Antikrizë. Sipas tij, në mënyrë që pasojat sociale dhe ekonomike të kësaj krize që ka përfshirë vendin tonë dhe që po thellohet çdo ditë, të mos jenë të pakontrollueshme për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë kombëtare. Sipas Metës, LSI i përmbahet qëndrimit se është domosdoshmëri që masat antikrizë duhet të synojnë në mbështetjen e qytetarëve me të ardhura më të ulëta me asistencë, në mbështetjen e industrive që prodhojnë për eksport, për të garantuar nivelin aktual të punësimit, që po cenohet, si dhe aktivitetin e tyre normal ekonomik, në rritjen e besimit të biznesit për investime, kryesisht në drejtim të prodhimit vendas,si dhe në rivlerësimin e investimeve publike dhe kontrollin e shpenzimeve. Qeveria duhet të ketë parasysh se përballimi i krizës dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit janë shumë herë më të rëndësishme sesa shpenzimet e saj për qëllime elektorale, theksoi Meta, duke shtuar se për këtë arsye duhet të reagojë me përgjegjshmëri sa më shpejt, në mënyrë që efektet e kësaj krize të mos rëndojnë akoma më tej mbi qytetarët e vendit dhe përpara se të jetë vonë. Meta tha se kriza ekonomike është konfirmuar, jo vetëm nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. Por, këtë realitet nuk e njeh vetëm Kryeministri Berisha dhe Qeveria e tij, për arsyen e vetme se janë të detyruar të vazhdojnë me premtime dhe mashtrime vetëm për qëllime elektorale, u shpreh Meta. Duke iu referuar deklaratës së përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Meta solli në vëmendje se rritja ekonomike për Shqipërinë për këtë vit parashikohet të jetë 0 deri në 1 për qind. Gjithashtu vijoi Meta, edhe konstatimet e tjera si rënia e vlerës së lekut, rënia e eksporteve, papunësia në rritje dhe rënia e besimit të konsumatorëve janë tregues të një realiteti ekonomik. Përsa i përket këtij fakti, Meta u shpreh se vetëm Berisha nuk do ta shikojë dhe ta pranojë, sepse është përgjegjësi kryesor për këtë situatë ku ndodhet vendi dhe për mungesën e reagimit dhe të masave nga ana e Qeverisë për të përballuar krizën. Gjatë deklaratës, Meta është pyetur nga gazetarët, në lidhje me daljen e disa fakteve të reja që implikojnë kryeministrin Berisha dhe të akuzuarin kryesor të Gërdecit, Delijorgjin, por këtë herë implikohet dhe botuesi Fahri Balliu. Ne jemi shprehur gjithnjë të qartë dhe koherentë për të mbështetur Prokurorinë për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, duke filluar nga Kryeministri Berisha dhe me radhë, u shpreh Meta në përgjigje të gazetarëve. Meta theksoi se LSI ka dhënë dhe jep gjithnjë përkrahjen më të vendosur ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, që të zbatohet ligji ndaj cilitdo, duke filluar nga Kryeministri Berisha.

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 11:36

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›