E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, apel qytetarëve për pajisjen me letërnjoftime elektronike

Kreu i qeverisë ftoi qytetarët të pajisen me letërnjoftimet e reja pasi e ka cilësuar këtë garancie kryesore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Duke theksuar se pajisja me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike do të jetë një kontribut jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për liberalizimin e vizave, u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për këto dy dokumente. Këtu, kreu i qeverisë citoi dy arsye të rëndësishme pse qytetarët duhet ti përgjigjen kësaj thirrje. E para lidhet me pjesëmarrjen në zgjedhje me dokumente të sigurta, ndërsa e dyta si dëshmi e angazhimit të përgjithshëm për zgjedhje me standarde përpara vendeve anëtare të NATO-s dhe BE. Çdo qytetar duke marrë letërnjoftime firmos për një infrastrukturë moderne të zgjedhjeve të ardhshme. E kemi në dorë vetë të kontribuojmë në këtë proces, duke u pajisur me këto dokumente, u shpreh Berisha, duke e cilësuar pajisjen nga çdo qytetar me dokumentet e reja të identitetit, një akt patriotik dhe të përgjegjshëm. Pajisja e qytetarëve me dokumente të besueshme identifikimi është konsideruar nga komuniteti ndërkombëtar, si nga kriteret kryesore që duhet të plotësojë qeveria për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë 700 mijë qytetarë që nuk kanë pasaporta, që duhet të aplikojnë para datës 1 qershor, në mënyrë që në votime të shkojnë me kartë identiteti. Por duket se procesi ka një lidhje të fortë dhe me lëvizjen pa viza. Pajisja e qytetarëve me dokumente të sigurta, renditet si kusht kryesor për lëvizjen lirisht në zonën Shengen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›