E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitë-opozitë, marrëveshje për bllokimin e Gjykatës Administrative

Drafti i hartuar nga ekspertët e të dyja palëve, sërish pa konsensus
Pozita dhe Opozita mbajnë peng ngritjen e Gjykatës Administrative në një periudhë në prag të zgjedhjeve. Debati për ngritjen e kësaj gjykate ka vazhduar sërish në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Gjetja e një konsensusi të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës duket se vazhdon të jetë ende i vështirë. Drafti i Ministrisë së Drejtësisë që ndodhet në zyrat e Kuvendit prej 7 muajsh dhe që i duhen 3/5 e votave për të kaluar është shtyrë sërish nga komisioni i ligjeve, për shkak të kundërshtive të opozitës. Megjithëse ekspertët e PS dhe ato të ministrisë hartuan një variant të përbashkët sërish rezultati nuk i ka pëlqyer selisë rozë. "Kishte alternativa të ndryshme për zgjedhje. I pari kishte të bënte me mënyrën e organizimit të gjykatave, u gjet gjuha e përbashkët. Ishte problem nëse gjykata administrative do të kishte apo jo stafin e vet administrativ. Gjykata administrative do të ketë stafin e vet administrativ mbështetës. Ky ligj miratohet, lihet një kohë e mjaftueshme minimalisht gjashtë muaj, gjatë të cilës do të bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve, të gjitha përzgjedhjet e tjera administrative dhe në krye të gjashtë muajve gjykata është e gatshme të fillojë funksionimin e vet", tha ministri Alibeaj. Kanë qenë pesë çështjet kryesore që opozita kundërshtonte nga drafti fillestar, por shtyrja e ligjit për javën tjetër nuk i ka pëlqyer mazhorancës në komision."Kjo është ofertë kompromisi, në qoftë se ju thoni jo ne nuk fillojmë punën pa shpik ata problemet kjo pastaj nuk është respekt ndaj njeri-tjetrit. Sepse është praktikisht ti thuash shumicës në komision që ju jeni dele, ne dimë të manovrojmë", tha kryetari Rusmali. "Kemi shtatë muaj që e zvarrisim, mendoj që është shumë e lehtë që mungon vullneti. Nëse kërkojnë dhe një jave, tu japim dhe një javë", u shpreh Aldo Bumci, PD. "Ky konsensus i kërkuar nga ne dhe i reflektuar më së fundi besoj, dhe nga ju, mund të na çojë javën e ardhshme në një konkludim të suksesshëm", deklaroi Besnik Dervishi, PS. Gjykata administrative do të shqyrtojë çështjet e biznesit dhe shtetit dhe të nënpunësve me administratën.  Sipas hartuesve të Ministrisë së Drejtësisë, qëllimi i krijimit të gjykatës administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Me anë të këtij projektligji, synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv, duke vënë në vend të drejtat e cenuara nga veprimet apo aktet administrative, të nxjerra nga organet publike. Projekti sjell domosdoshmërinë e barazisë së interesit publik, nga njëra anë, me të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të personit, nga ana tjetër. Në kuadër të marrëdhënies administrative, nëpërmjet personave dhe organeve publike, synohet forcimi i rolit aktiv të organeve administrative, për respektimin e të drejtave subjektive të personave. Projektligji sjell një risi në kuadër të gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative, lidhur me detyrimin e organeve publike për të paraqitur provat, që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve administrative, që më pas kanë sjellë cenimin e të drejtave të ligjshme të personave. Ky projektligj ofron parimin se gjykata administrative gjykon mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit. Projekti cakton rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e gjykatave administrative.

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 11:36

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›