Berisha përzgjedh komunitetet me ngjyrë, karta falas për romët, ua refuzon egjiptianëve
Qeveria shqiptare ka përfshirë një tjetër shtresë të shtetasve shqiptarë në pajisjen me karta falas. Pas invalidëve, këtë radhë kryeministri Berisha ka premtuar komunitetin rom për pajisjen e tyre me letërnjoftime elektronike falas. Ndërkohë që ka qenë po kjo mazhorancë, e cila u është përgjigjur negativisht thirrjeve të opozitës për pajisjen e shtresave të varfra me karta falas, duke u parashtruar atyre subvencionimin nga ana e saj të disa shtresave. Dhe nga ana tjetër është po kjo mazhorancë që deklaron se thirrjet e opozitës për pajisje me karta falas kanë çuar në uljen e aplikimeve.
Ndërkohë dhe eurodeputetja Doris Pack, ka përkrahur idenë e qeverisë shqiptare, për mos dhënien e letërnjoftimeve falas duke veçuar këtu çmimin tepër të lirë të kartave në krahasim me vendet e tjera evropiane. Ndërsa, dje, në ditën ndërkombëtare të romëve, kryeministri Berisha ka premtuar karta falas për këtë komunitetit, por në radhë të parë sipas tij ata duhet të marrin pjesë në procesin e regjistrimit. Ndër të tjera, ai ka premtuar se politikat që do të ndiqen nga qeveria e tij për këtë komunitet do të jenë prioritare. Qeveria do ti japë komunitetit tuaj kartat e identitetit falas.
Por ju duhet të bashkëpunoni në këtë proces të regjistrimit që po bëjmë. Regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i të rriturve është në interesin tuaj më të mirë, sepse në çdo plan, çdo projekt ne duhet ta bazojmë në të dhëna të sakta dhe tani kemi edhe letërnjoftimet e reja. Ju bëj thirrje ti merrni ato, të votoni të lirë sipas përzgjedhjes suaj, të kontrolloni listat e votimit, sepse, në këtë mënyrë edhe zëri juaj bëhet shumë më i fuqishëm, ka theksuar kreu i qeverisë duke veçuar se ata duhet të kenë njerëzit e tyre të zgjedhur, të cilët duhet të thonë fjalën e tyre, në komuna, në bashki, në parlament e kudo dhe kjo sipas tij kërkon që vota të llogaritet.
Kreu i qeverisë premton përmirësim rrënjësor të jetës së romëve
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit ka garantuar përmirësim rrënjësor të jetës së këtij komuniteti ku ka parashtruar strategjinë konkrete të qeverisë, e cila parashikon një plan masash të detajuar që përkthehen në shkollimin, strehimin dhe urbanizimin e zonave ku jetojnë romët. Qeveria disponon një strategji të gjatë të trajtimit të problematikës së madhe të këtij komuniteti të nderuar dhe po bën planin e veprimit, pasi ajo u bashkua me një grup vendesh të Evropës Juglindore në dekadën për përfshirjen e romëve. Ju garantoj se në këtë plan veprimi, qeveria do mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme qe kjo dekade, e shpallur dekada e përfshirjes suaj, të jetë një dhjetëvjeçar, në të cilin jeta juaj të ndryshojë më shumë se kurrë, ku do marrin përgjigjen më të mirë problemet e mëdha të trashëguara nga ju, problemet e punësimit, të strehimit, shkollimit dhe probleme te tjera të jetës suaj, u shpreh kryeministri duke veçuar se faktin se qeveria e ka marrë me seriozitet të madh problemin e përfshirjes së kësaj shtrese në shoqëri. Në planin e qeverisë fëmijët renditen të parët, që sipas Berishës, së bashku me PNUD dhe me interesimin direkt të zonjës Turkoz-Cosslett, do të ndëmerret regjistrimi, ku veçon faktin se secili fëmijë rom duhet të këtë mbrojtjen, garancinë e plotë të jetës si të gjithë fëmijët e tjerë. Regjistrimi është vetëm hapi i parë për fëmijët tuaj, shkollimi i tyre do të jetë hapi i dytë. Ministria e Arsimit ka marrë urdhër të prerë të ngrejë shkolla me ushqim në zonat ku jeni ju dhe këtë ne e bëjmë, sepse varfëria në zonat ku ju banoni është shumë më e thellë, se sa në zona të tjera. Ne do bëjmë që fëmijët tuaj të ndjekin shkollat e mesme dhe ju garantoj për secilin prej tyre, bursë dhe konvikt. Fëmijët tuaj të ndjekin universitetin, ka vijuar fjalën e tij kreu i qeverisë. Ndër të tjera sipas tij qeveria ka filluar një politikë zgjerimi të gjatë e më konkretisht në bashkinë e Korçës janë alokuar fonde për pallate për këtë shtresë dhe ka premtuar se kjo politikë do të vazhdojë, duke e cilësuar strehimin e komunitetit rom, përparësi madhore të qeverisë.
******************************************
Komuniteti egjiptian kërkon karta falas
Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit Berisha për dhënien e letërnjoftimeve elektronike falas për komunitetin rom, nuk ka vonuar shumë dhe paraqitja e kërkesave nga ana e komunitetit egjiptian. Përfaqësues të këtij komuniteti, kanë protestuar ditën e djeshme para kryeministrisë duke kërkuar që kësaj pakice, tu shpërndahen falas kartat e identitetit. Kryetari i shoqatës së egjiptianëve, Arjan Lile u shpreh se ky komunitet është i interesuar të votojë dhe ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij në vendin ku jeton. Sipas tij, në vendin tonë numërohen gjithsej 250 mijë egjiptianë, shumica e të cilëve në moshë për të votuar dhe që për shkak të varfërisë nuk do të mund të hedhin votën e tyre, nëse kartat e identitetit nuk u mundësohen falas. Lile ka përmendur papunësinë, që mbizotëron në këtë komunitet, mungesën e arsimit dhe krijimit të mundësive si të gjithë të tjerët.