Opozita paralajmëron Berishën se po përsërit gabimin e vitit 1996 me krizën ekonomike

Pas deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen ekonomike të vendit në vitin 2009, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë apel kryeministrit, që të mos e çojë vendin në qorrsokak, duke bërë veshin shurdh ndaj kambanës së FMN e syrin qorr ndaj realitetit përditë e më dramatik të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, Rama i bëri apel kryeministrit të mos përsërisë gabimin historik të pragvitit 96 kur nuk i dëgjoi kambanat e FMN-së e të Bankës Botërore.
Ai theksoi se kryeministri duhet të dëgjojë thirrjet e tyre të përsëritura për të kthyer buxhetin në realitet, për të pranuar rënien ekonomike, për të mos rritur shkallën e rrezikut duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale, për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive mbi biznesin dhe për të mos rrënuar themelet e shtetit të të gjithë për interesat e pushtetit të disave. Sipas Ramës, kryeministri nuk duhet të shpërdorojë mundësinë e jashtëzakonshme që i jep kjo opozitë e përgjegjshme dhe e aftë për të kuptuar e ndarë interesat afatgjata të vendit e të bashkëqytetarëve tanë nga interesat e politikës së ditës. Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për Qeverinë Shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se vendi shkon drejt rritjes ekonomike zero dhe përdorimi i mëtejshëm i të ardhurave për shpenzime e investime elektorale kërcënon drejtpërdrejt buxhetin e rrogave e të pensioneve, u shpreh Rama. Sipas FMN tha Rama, numri i të varfërve e të papunëve rrezikon të rritet me shpejtësi dhe pasojat sociale të prekje së vendit nga një krizë që Qeveria Shqiptare vazhdon ta injorojë me papërgjegjshmëri rrezikojnë të jenë shkatërruese. Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për Qeverinë Shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lënë të kuptohet qartësisht se ecja kokëfortësisht më tej në rrugën e mohimit të krizës, me gërshërë që nga njëra anë presin shirita investimesh të zbuluara financiarisht, kurse nga ana tjetër shkurtojnë financimin e sigurimeve shoqërore, është një marshim drejt një hendeku tejet të rrezikshëm, tha Rama, duke shtuar se FMN ka bërë një apel kumbues për pranimin e krizës që po mbërthen vendin dhe për kthimin në realitet të atyre që na qeverisin. Duke iu referuar qeverisë, Rama u shpreh se ata nuk mund ta mbysin edhe njëherë Shqipërinë në batakun e papërgjegjshmërisë, duke mohuar efektet e një krize që ka prekur ekonominë reale shqiptare, që po godet sistematikisht të ardhurat e bizneseve dhe po ul përditë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Ne nuk duam thellimin e krizës për të thelluar avantazhin tonë elektoral, po duam përballimin e krizës për të mos lejuar thellimin e dizavantazheve ekonomike e shoqërore për familjet shqiptare, u shpreh Rama, duke shtuar se ne nuk duam të vëmë kujën që të alarmojmë shqiptarët e të nxisim konfuzionin e pasigurinë për përfitime elektorale, po duam të bashkëpunojmë e të kontribuojmë që kriza të mos i bëjë vendit e njerëzve dëme të tepërta për shkak të një keqmenaxhimi qeverisës që vjen nga etja për pushtet në prag zgjedhjesh. Rama theksoi se opozita nuk do të përfitojë nga kriza, por do që familjet shqiptare të mos humbin prej saj për shkak të verbërisë e të shurdhërisë së atyre që na keqqeverisin. I pyetur për interpelancën për krizën ekonomike në Kuvend, Rama vlerësoi se ky është një aspekt i një sërë lëvizjesh dhe masash që duhen marrë, por nuk është më i rëndësishmi. Sipas Ramës, aspekti më i rëndësishëm i gjithë kësaj panorame, sot është shurdhëria dhe verbëria e kryeministrit dhe qeverisë, të cilët ose nuk e kuptojnë dhe kjo është e rëndë, ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe kjo është po ashtu e rëndë. Në të dyja rastet, nuk janë në krye të detyrës dhe nuk po bëjnë detyrën në kushtet kur populli shqiptar ka nevojë për një lidership që të shohë të ardhmen dhe të mos e sakrifikojë atë për interesat e momentit, tha Rama, duke shtuar se ashtu siç po bën sot Sali Berisha, së bashku me ata të tjerët që ka rreth e rrotull, që vazhdojnë të trumbetojnë suksese, ndërkohë që rënia ekonomike vazhdon çdo javë dhe mund të vazhdojë çdo ditë.