E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Opozita të ishte në shesh për të festuar



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje gjatë debateve në Kuvend, duke shprehur keqardhje për bojkotin e opozitës në ceremoninë festive të së dielës pasdite. Topalli tha se me hyrjen në NATO shqiptarët ndihen më të vlerësuar, ndaj, sipas saj, sheshi ishte plot. “Festa vazhdon sot, është një ditë e madhe, po ashtu si dje. Edhe nesër do të jetë një tjetër ditë e madhe, kur flamuri shqiptar do të ngrihet në Bruksel. Falënderoj kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, për përfaqësimin e saj dinjitoz në samitin e 60-vjetorit, por po ashtu shpreh keqardhjen që disa prej jush (opozitës) nuk u bashkuat dje me shumicën e shqiptarëve në një takim të jashtëzakonshëm e të paparë”, - deklaroi Topalli. Sipas saj, opozita ndodhet mes dy të këqijave, por që fatkeqësisht, i ka zgjedhur të dyja. Më tej kryeparlamentarja ka kritikuar qëndrimin e opozitës, duke thënë se opozita duhet ta shohë me optimizëm hyrjen e vendit në NATO. Topalli i këshilloi deputetët e opozitës që të mos vajtojnë për këtë ngjarje, por të gëzohen si 96 për qind e qytetarëve të tjerë. “Para se të firmosnim MSA-në, u tha se kurrë nuk do ta nënshkruani atë, por kur u nënshkrua, deklaruat se do të vonohej nja 15 vjet ratifikimi i saj. Sot thoni se nuk do të kemi karta. Ju këshilloj ta shihni me optimizëm Shqipërinë në NATO. Nuk është mirë të vajtoni në ditën e festës, aq më tepër kur më shumë se sot nuk ka pasur përpjekje për të krijuar një infrastrukturë moderne me karta e pasaporta biometrike”, - tha Topalli dje në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›