E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia - BE-së: Të hiqen vizat me Ballkanin brenda qershorit



Italia është bërë partizane e hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian drejt atyre vendeve që vazhdojnë të rrinë jashtë portës, por që kanë trokitur tashmë me kohë për të qenë miqtë e rinj. Bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria i ka hedhur disa hapa të rëndësishëm drejt familjes evropiane, duke pritur më tutje vullnetin e palës tjetër për të realizuar integrimin e plotë. Ministri i Jashtëm i Italisë, njëkohësisht komisioner i Komisionit Evropian, Franko Fratini, i ka shtruar një detyrë të re dhe të rëndësishme samitit BE-USA që po mbahet në Pragë, ku ka kërkuar liberalizim të vizave me këto vende para fundit të qershorit. Një ogur i mirë për shqiptarët dhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit që e shohin heqjen e vizave si hapin më të fortë të hyrjes në BE. Këta qytetarë pas qershorit nuk do ta ndjejnë më veten të persekutuar e të shpërfillur nga pjesa tjetër e Evropës, por do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm. Duket se BE tashmë është gati për ta bërë këtë. Fratini është shprehur entuziast pas takimit. “Propozimi im lidhur me heqjen e vizave me këto vende, gjeti mbështetje të plotë. Ne propozuam që kjo të ndodhë sa më shpejt”, - tha ministri italian. Propozimi i Fratinit ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të vendeve anëtare të KE-së, si dhe të presidencës spanjolle, të cilët kanë pranuar dhe janë shprehur pozitivisht lidhur me këtë paketë për Ballkanin. Diplomati italian tha se ky është një plan që do të bëjë të mundur integrimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit, pasi sipas tij, ky proces po ecën me hapa tepër të ngadaltë. Ndërkohë sinjale pozitive dha edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, i cili deklaroi nga Brukseli se për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ketë heqje të regjimit të vizave në qershor, kohë në të cilën mbyllet mandati i presidencës çeke.

Plani “Fratini”

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka paraqitur para këtij samiti planin e tij me 8 pika, që prek disa nga çështjet më të ndjeshme të BE-së, siç është heqja e regjimit të vizave, nga i cili përfiton Shqipëria, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të tillë me BE prej më shumë se një viti. Tjetër çështje ku Fratini ka kërkuar më shumë vëmendje nga BE është përshpejtimi i procesit të integrimit të këtyre vendeve, duke parë me përparësi afrimin në union të Kroacisë dhe përmbylljen e aplikimeve si vende kandidate me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Serbinë. Gjithashtu Italia ka kërkuar një përforcim të rolit evropian në Bosnje-Hercegovinë, si dhe vëmendje dhe mbështetje maksimale në Kosovë. Emri i Maqedonisë ka qenë një tjetër pikë shqetësuese për Fratinin, i cili ka kërkuar që BE të luajë rol në mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Athinës, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet dhe të zhbllokohet udha e Maqedonisë për në BE dhe NATO. Ambasada italiane në Tiranë bëri dje publike planin me 8 pika të Fratinit, plan që nuk u kundërshtua në Samitin e Pragës, ku po zhvillon punimet samiti BE-SHBA.

Plani italian prej 8-pikash për BE-në

1. Heqja e regjimit të vizave. Italia shpreson që qëndrimi i Komisioni Evropian të jetë gati nga fundi i majit dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur

2. Italia kërkon që në fund të majit Komisioni Evropian të mund të vazhdojë përgatitjen e raportit teknik të pranimit të aplikimit të Malit të Zi, i cili do të ishte mirë të ndiqej nga Shqipëria dhe Serbia.

3. Italia shpreh vullnetin që të përmbyllet pranimi i Kroacisë në BE në vitin 2010. Në këtë kontekst Italia mbështet hartën e rrugëve të përgatitur nga Komisioni Evropian.

4. Italia kërkon rritje të efektivitetit të BE-së në misionin e saj në Bosnje-Hercegovinë.

5. Italia kërkon që të zhbllokohet hyrja në fuqi para përfundimit të qershorit, marrëveshja e ndërmjetme mes BE-së dhe Serbisë, ndërkohë që i kërkohet Beogradit që të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës dhe në këtë drejtim mirëpret një vizitë të shpejtë në Beograd të prokurorit Brammertz.

6. Italia kërkon për një zgjidhje të shpejtë të debatit mbi emrin e Maqedonisë, në mënyrë që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe ta lejojë atë të anëtarësohet në NATO.

7. Në Kosovë theksohet rëndësia e mbështetjes. “Bashkë brenda, bashkë jashtë”, duhet të jetë principi drejtues i prezencës ushtarake dhe civile i bashkësisë ndërkombëtare.

8. Italia kërkon një samit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në mesin e parë të vitit 2010, duke uruar pjesëmarrjen në samit dhe të Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›